“Protesta ka futur në panik Edi Ramën”- Studenti: “Gjenerata Z” do ndryshojë Shqipërinë, jemi gati!

Aktualitet

“Protesta ka futur në panik Edi Ramën”- Studenti:

Studenti Kleidi Memo, i ftuar sot në televizionin News24, ka bërë një analizë të protestës dhe lëvizjes së rinisë shqiptare, e quajtur edhe “Gjenerata Z”, për rrëzimin e qeverisë, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike.

Ai tha se protesta që reziston në mënyrë historike në sheshet e Tiranës prej 66 ditësh i ka futur frikën dhe panikun kryeministrit, ndërsa ata nuk do largohen nga sheshi pa arritur qëllimet e tyre.

Teksa foli në emër të grupit studentor ku dhe bën pjesë, i riu theksoi se protestat kanë shkatërruar fasadën e mashtrimit të ndërtuar ndër vite nga politika.

Memo u ndal te reagimi i kreut të qeverisë ndaj protestave, duke e akuzuar se është munduar fillimisht t’i minimizojë përmes ironisë dhe aludimeve për faktorë të jashtëm, në një kohë që realiteti tregon të kundërtën.

“Protesta e ka vënë Ramën në panik. Filloi duke e ironizuar, duke thënë se ka forca të jashtme që e organizojnë, etj. Çdo herë ai përpiqet të krijojë një fasadë sikur çdo gjë është në rregull. Këtë ka bërë që nga viti 2013, duke tentuar të thotë se çdo gjë është në rregull. Kjo protestë e ka shembur fasadën që Edi Rama dhe PS, por edhe PD kanë ngritur më parë,” u shpreh ai.

Sipas Memos, rinia përfaqëson katalizatorin e vërtetë të ndryshimit dhe nuk mund të pranojë më një klasë politike që synon vetëm përfitimet personale. Ai njoftoi se studentët janë bashkuar në një front të përbashkët qëndrese.

“Gjenerata Z është gati të bëjë ndryshim sepse rinia është katalizator i ndryshimit në çdo vend. Unë jam pjesë e një grupi studentor që përfaqëson edhe studentët në protestë dhe kemi krijuar një qëndresë për studentët ku çdo student mund të na bashkohet për të luftuar këtë klasë politike të vjetër që është aty vetëm për interesat e tyre personale.”

Në përfundim, ai evidentoi se qytetarët dhe studentët ballafaqohen çdo ditë me mungesa të theksuara dhe se aksionet simbolike të rinisë do të vijojnë.

“Kemi shumë pakënaqësi, ka shumë kërkesa, si për arsimin, shëndetësinë që duhen përmirësuar. Kjo qeveri ka uzurpuar çdo aspekt të jetës së përditshme të shqiptarëve. Ne si studentë kemi bërë shumë aksione, ku një prej tyre ka qenë shpalosja e një banderole të madhe në Universitetin Politeknik”, tha ai.

 

ME TE LEXUARAT