Basha shfaqet me zë të ngjirur në Vorë: Më 25 prill vendoset fati i shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Vora tha se zgjedhjet e 25 prillit nuk bëhen për partitë politikë, por për shqiptarët. Basha në këtë qytet gjatë mitingut ku i kërkoi votën banorëve u shfaq me zë të ngjirur. Sipas kreut të PD në 25 prill ka vetëm dy rrugë, ose 4 vjet të tjera dështim, ose vota për ndryshim. Kryedemokrati Basha bëri thirrje që të votohet për aleancën për ndryshim.
“E shikoni si e kanë katandisur Vorën, shikoni si kanë katandisur fermerët. Shikoni sa të pashpirtë janë edhe me ata që humbën strehën mbi kokë. 8 vite dështime dhe tani merr guximin të kërkojë edhe 4 vite të tjera. Përgjigja e shqiptarëve është e qartë, ai që nuk bëri gjë për 8 vite nuk bën asgjë për 4 vit. Shqiptarët e kanë marrë vendimin.
Nga Vlora në Shkodër, nga Saranda në Tropojë dhe nga e gjitha Shqipëria, bashkë për ndryshim duke votuar të dielën e ardhshëm numrin 9. Vora nuk e mban dot këtë peshë të skamjes dhe padrejtësisë.
Fitore dhe fitorja po vjen, aleanca për ndryshim do ti fitojë zgjedhjet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në 25 prill është në dorën tuaj, ndaj votoni numrin 9. Nuk janë zgjedhjet për partitë politike, por zgjedhje për shqiptarët. Dy rrugë janë: Ose 4 vjet dështim, ose ndryshim duke votuar numrin 9. Kjo nuk është qeverisjes, ky është dështim dhe në 25 prill ta largojmë me votë të bashkuar. Është në dorën tonë ti shërbejmë fëmijët tanë.
Unë zotohem para banorëve të Vorës dhe zonave të tjera të dëmtuara nga tërmeti, se duke votuar në 25 prill do të votoni jo vetëm për një kryeministër për shqiptar, por votoni edhe për rindërtimin e shpejtë për ata që u dëmtuan nga tërmeti. Do ti japim fund mafias së tokave.
Nuk mund të dështosh për 8 vite dhe të kërkosh edhe 4 vite të tjera. Ne jemi garancia. Ka vetëm një alternativ, në 25 prill votoni numrin 9”, tha Basha.


