Policia ndalon burrin e ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit (EMRI)

Policia në Durrës ka vënë në pranga Fetah Mataj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës në këtë qytet, Elisabeta Mataj, që vodhi 700 mijë euro nga Posta e Durrësit.
Fetah Mataj akuzohet për “kanosje për dhënien e pasurisë”.
Mataj ishte përgjegjës i evadimit të mbetjeve në Bashkinë e Durrësit. Dyshohet se kërcënonte punonjësit që t’i jepnin 25 mijë lekë të rinj në muaj.
Fetah Mataj u vendos këtë post, pak kohë pas skandalit, ku ish-bashkëshortja akuzohej se kishte përvetësuar 700 mijë euro nga Posta e Durrësit. Ish-drejtoresha e Postës Elizabeta Mataj është ende në “arrest shtëpie”.
Njoftimi i policisë
Durrës
Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj shtetasit F. M. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.


