Përplasje masive mes policisë dhe tifozëve të Besiktasit, zbulohet arsyeja e sherrit

Një ndeshje e Europa League mes Besiktas-it turk dhe Hapoel Beer Sheva-s izraelite është shoqëruar me incidente të rënda në stadiumin e Batumit, në Gjeorgji. Përplasjet shpërthyen në tribuna pas shfaqjes së simboleve pro-palestineze nga tifozët e skuadrës turke, duke detyruar arbitrin të ndërpriste përkohësisht takimin.
Ngjarja ndodhi gjatë sfidës së vlefshme për javën e pestë të kompeticionit, e zhvilluar në një fushë neutrale. UEFA kishte vendosur zhvendosjen e ndeshjes nga Stambolli drejt Gjeorgjisë për arsye sigurie.
Situata u tensionua pasi mbështetësit e Besiktas-it shpalosën flamuj palestinezë dhe pankarta në mbështetje të Palestinës. Policia gjeorgjiane ndërhyri për largimin e simboleve, por reagimi i forcave të sigurisë u pasua nga përplasje fizike me tifozët.
Pamjet e publikuara nga stadiumi tregojnë efektivë të policisë duke përdorur sprej djegës dhe shkopinj gome ndaj mbështetësve turq. Disa tifozë u nxorën nga stadiumi me barela, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Për shkak të situatës së krijuar, arbitri danez Morten Krogh vendosi të ndërpresë ndeshjen rreth minutës së 25-të, duke i dërguar futbollistët dhe stafet e të dyja skuadrave në dhomat e zhveshjes. Pas rreth 30 minutash, takimi rifilloi, ndërsa Besiktas-i arriti të triumfonte me rezultatin 2-1.
Incidentet shkaktuan reagime të shumta në Turqi. Drejtuesit e Besiktas-it e cilësuan ndërhyrjen e policisë si joproporcionale, ndërsa në mbështetje të tifozëve reaguan edhe klube të tjera të njohura turke, përfshirë Trabzonspor-in dhe Fenerbahçe-n, të cilat dënuan mënyrën e trajtimit të mbështetësve nga autoritetet gjeorgjiane.
Tensione ishin regjistruar edhe para nisjes së takimit. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, kapiteni i Besiktas-it, Orkun Kökçü, refuzoi të përshëndeste futbollistët e skuadrës izraelite, duke shtuar atmosferën e tensionuar që shoqëroi këtë përballje.


