Përfshihet nga flakët automjeti në Fier-Ballsh, dyshohet se...

Një incident me pasoja materiale ka ndodhur pak minuta më parë në aksin rrugor Fier-Ballsh, ku një automjet është përfshirë tërësisht nga flakët gjatë lëvizjes. Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Lalar, duke shkaktuar panik te përdoruesit e tjerë të rrugës.
Sipas të dhënave të para nga vendngjarja, bëhet me dije se automjeti i përfshirë në zjarr është i llojit “Ford”. Drejtuesi i mjetit ka konstatuar praninë e tymit dhe flakëve që po përhapeshin me shpejtësi, çka i ka mundësuar të reagojë menjëherë duke e ndaluar automjetin në anë të rrugës dhe duke dalë jashtë pa pësuar asnjë lëndim shëndetësor.
Pas njoftimit të marrë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse të Bashkisë Patos.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale të efektivëve zjarrfikës, u bë e mundur lokalizimi dhe shuarja e plotë e flakëve, duke parandaluar rrezikun për mjetet e tjera që qarkullonin në këtë aks.
Nga verifikimet e para paraprake,dyshohet se shkak për shpërthimin e zjarrit ka qenë një defekt teknik në sistemin elektrik të automjetit.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij incidenti.

