Pas tetë vitesh udhëtim, 'BepiColombo' mbërrin në Merkur, çfarë misteresh pritet të zbulojë

Pas një udhëtimi të jashtëzakonshëm prej tetë vitesh dhe afro 10 miliardë kilometrash, sonda hapësinore BepiColombo pritet të mbërrijë në orbitën e Mërkurit, duke shënuar një moment të rëndësishëm në eksplorimin e planetit më të afërt me Diellin. Hyrja në orbitën e Mërkurit është parashikuar për të shtunën, më 21 nëntor 2026, në orën 20:24.
Misioni synon të zbulojë disa nga misteret që kanë intriguar prej vitesh shkencëtarët, nga prania e akullit në krateret polare deri te formimi i strukturave të pazakonta në sipërfaqen e planetit. BepiColombo është një projekt i përbashkët i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) dhe Agjencisë Japoneze të Eksplorimit Hapësinor (JAXA).
Ai u nis në vitin 2018 nga Guiana Franceze dhe, për shkak të tërheqjes së fuqishme gravitacionale të Diellit, ndoqi një trajektore të ndërlikuar për të arritur destinacionin. Gjatë udhëtimit, sonda kreu një kalim pranë Tokës, dy pranë Venusit dhe gjashtë pranë Mërkurit, me qëllim uljen graduale të shpejtësisë. Fillimisht, udhëtimi ishte parashikuar të zgjaste shtatë vjet, por një problem në sistemin e shtytjes bëri që mbërritja të shtyhej me një vit.
Një planet ekstrem që fsheh shumë mistere
Mërkuri është një nga planetët më pak të eksploruar të sistemit diellor. Pavarësisht afërsisë me Diellin, ai ka karakteristika që vazhdojnë të sfidojnë njohuritë shkencore. Temperaturat në sipërfaqen e tij mund të arrijnë deri në 430 gradë Celsius gjatë ditës, ndërsa gjatë natës mund të zbresin deri në minus 180 gradë.
Këto ndryshime ekstreme lidhen me kushtet e veçanta të planetit dhe mungesën e një atmosfere të dendur që mund të ruajë nxehtësinë. Një nga pyetjet kryesore që shkencëtarët shpresojnë të marrin përgjigje është se si mund të ekzistojë akull në krateret e poleve të Mërkurit, megjithëse planeti ndodhet kaq pranë Diellit.
Një tjetër objekt studimi do të jenë mijëra zgavra të çuditshme të shpërndara në sipërfaqen e tij. Këto struktura kanë formë të cekët, me anë të pjerrëta, dhe mendohet se janë relativisht të reja në aspektin gjeologjik. Shkencëtarët ende nuk kanë një shpjegim përfundimtar për mënyrën se si janë krijuar.
Pse Mërkuri ka një bërthamë kaq të madhe?
Një tjetër mister lidhet me strukturën e brendshme të planetit. Pavarësisht përmasave të vogla, Mërkuri ka një bërthamë metalike jashtëzakonisht të madhe në raport me madhësinë e tij. Një nga hipotezat është se planeti mund të ketë humbur një pjesë të mantelit dhe kores gjatë përplasjeve të fuqishme në fazat e para të formimit të sistemit diellor.
Një mundësi tjetër është që Mërkuri të jetë formuar që në fillim në një rajon të pasur me metale. Përmes instrumenteve të specializuara, BepiColombo do të ndihmojë në studimin e përbërjes, strukturës dhe historisë gjeologjike të planetit, duke ofruar të dhëna të reja për evolucionin e tij.
Dy anije kozmike për një mision të vetëm
Pas mbërritjes në Mërkur, misioni do të vijojë me një tjetër fazë të rëndësishme: ndarjen e dy anijeve kozmike që aktualisht udhëtojnë së bashku. Njëra, e Agjencisë Evropiane të Hapësirës, do të përqendrohet në studimin e sipërfaqes dhe strukturës së brendshme të planetit.
Tjetra, e Agjencisë Japoneze të Eksplorimit Hapësinor, do të analizojë mjedisin magnetik dhe ndërveprimin e Mërkurit me Diellin. Ndarja do të kërkojë një manovër të kujdesshme, pasi mekanizmi që mban të bashkuara dy sondat duhet të funksionojë në mënyrë të përsosur pas tetë vitesh ekspozimi ndaj rrezatimit dhe temperaturave ekstreme të hapësirës.
Deri më tani, vetëm dy misione të NASA-s kanë eksploruar nga afër Mërkurin: Mariner 10, gjatë viteve 1970, dhe Messenger, e cila hyri në orbitën e planetit në vitin 2011 dhe e studioi atë për katër vjet. Me BepiColombo, shkencëtarët shpresojnë të hedhin dritë mbi historinë e një prej planetëve më enigmatikë të sistemit diellor dhe të kuptojnë më mirë jo vetëm formimin e tij, por edhe proceset që kanë ndikuar në zhvillimin e planetëve të tjerë.


