Jorgo Goro i drejtohet Kushtetueses, kërkon pezullimin e dënimit dhe konfiskimit të pasurisë

Ish-kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila e dënoi me 1 vit e 4 muaj burg.
Goro kërkon gjithashtu pezullimin e vendimit për konfiskimin e një apartamenti, deri në momentin kur Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim përfundimtar mbi çështjen.
Në kërkesën e tij, ish-kryebashkiaku pretendon se procesi gjyqësor ndaj tij është zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën dhe se gjatë gjykimit janë cenuar garancitë ligjore.
Sipas tij, shkeljet nuk kanë ndodhur vetëm në Gjykatën e Lartë, por edhe në dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit.
Goro kundërshton veçanërisht edhe vendimin e Apelit të Posaçëm, i cili në verën e vitit 2025 rrëzoi kërkesën e tij për rigjykim.


