Operacioni “Variety” në Tiranë, arrestohen dy persona, kokainë dhe armë imituese të sekuestruara

Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi akuzohen për shitje të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Operacioni i koduar “Variety” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shigjeta”.
Në pranga kanë rënë dy shtetas, 36 dhe 50 vjeç, të dy banues në kryeqytet. Ata u kapën në flagrancë gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia, në kuadër të goditjes së rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe mbajtjes së armëve pa leje.
Gjatë kontrollit fizik, në banesë dhe në automjetin e 36-vjeçarit, në rrugën “Njazi Meka”, u gjetën sasi dhe doza të dyshuara kokaine dhe kanabisi. Gjithashtu, në automjetin e tij u sekuestrua një armë imituese e pistoletës, me zara metalikë.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të automjetit të 50-vjeçarit, në bulevardin “Zogu i Parë”, policia gjeti një sasi kokaine të ndarë në doza, e dyshuar se ishte për shitje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndët narkotike, arma, automjetet dhe telefonat celularë të dy të arrestuarve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.


