Shpërthimi në pallatin në Elbasan merr një jetë, 83-vjeçari nuk u mbijeton dot plagëve

Shpërthimi i fuqishëm që tronditi mesditën e sotme një pallat në qytetin e Elbasanit ka shkaktuar një viktimë. Një 83-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e ngjarjes së rëndë, e cila shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në ndërtesë.
Shpërthimi ndodhi në një apartament në lagjen “Beqir Dardha”, duke shkaktuar shembjen e mureve të banesës dhe dëmtimin e një pjese të shkallëve të pallatit.
Forca e shpërthimit ishte e madhe, ndërsa banorët e zonës kanë përjetuar momente paniku dhe frike. Disa prej tyre e përshkruan ngjarjen si një tronditje të jashtëzakonshme, që u shoqërua me dëme të rënda në strukturën e ndërtesës.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën forcat zjarrfikëse, policia dhe strukturat e emergjencës, të cilat nisën evakuimin e banorëve përmes mjeteve dhe shkallëve të emergjencës.
Humbja e jetës së 83-vjeçarit e rëndon bilancin e kësaj ngjarjeje tragjike, ndërsa pritet që grupet hetimore të përcaktojnë shkaqet dhe rrethanat e sakta të shpërthimit.
Dyshimet paraprake lidhen me një bombol gazi, por shkaku përfundimtar mbetet për t’u konfirmuar nga hetimet.


