“Njerëzit e mençur nuk martohen”/ Dhima: Ja pse kemi frikë, Aliçkolli: Celebrimi duhet të vijë natyrshëm

Soft

“Njerëzit e mençur nuk martohen”/ Dhima: Ja pse kemi

Sipas shkrimtares së njohur Agatha Christie, “Njerëzit e mençur nuk martohen!”, një shprehje që vë në pikëpyetje martesën dhe zgjedhjen për të ndërtuar një familje.

A është martesa e domosdoshme për të pasur një jetë të mirë, apo lumturia nuk varet nga statusi martesor? Kjo ishte edhe tema e diskutimit në emisionin “Takohemi n’Vizion”.

Të ftuara në studion e Vizion Plus, psikologia dhe trajnerja e prindërimit Pranvera Dhima dhe autorja e emisionit “Takohemi n’Vizion” Jonida Aliçkolli, ndanë këndvështrimet e tyre mbi martesën, rëndësinë e zgjedhjes së partnerit dhe kohën kur një person ndihet gati për të hedhur këtë hap.

Nëse martesa është e domosdoshme për të pasur një jetë të mirë, Dhima u shpreh se përvoja e saj personale ka qenë pozitive, duke treguar se është prej 20 vitesh e martuar.

“Besoj shumë tek ai. Kam ndërtuar vetë familjen time. Jam prej 20 vitesh e martuar. Është e kënaqshme të jesh e martuar. Varet në çfarë momenti e thua shprehjen”, tha Dhima.

Nga ana tjetër, autorja Jonida Aliçkolli u shpreh se martesa nuk duhet të shihet si një detyrim, por si një hap që vjen natyrshëm, kur dy njerëz ndihen gati. Ajo tregoi se është martuar në moshën 31-vjeçare dhe se celebrimi ka ardhur spontanisht, pa presionin se duhej ta bënte patjetër në një moshë të caktuar.

“Se di a duhet të quhet e domosdoshme. Unë jam ai mesi i artë. S’kam vendosur të martohem herët. Jam martuar 31 vjeç. Celebrimin e kam bërë kur kam qenë shtatzënë me vajzën e parë. Erdhi shumë natyrshëm si hap. Erdhi spontanisht pjesa e celebrimit. Pa stres që duhet të bëjmë këtë hap. Isha në fazën e duhur. Erdhi kur duhet të ndodhte, jo se domosdoshmërisht duhet të jesh i martuar në atë moshë”, deklaroi Aliçkolli.

Psikologia Pranvera Dhima, nga ana e saj, vuri në dukje se egocentrizmi është një nga faktorët që vështirëson jetëgjatësinë e martesave, ndërsa njerëzit shpesh kanë frikë të ndërmarrin këtë hap.

 “Një nga gjërat që martesat s’e durojnë dot është egocentrizmi. Ky është modeli i gabuar që marrin njerëzit dhe kanë frikë të martohen. Unë jam martuar 23 vjeç dhe s’më është dukur që ka qenë herët. Kur gjen personin që do, vjen natyrshëm edhe të qenit e martuar, edhe prind. Mosha e re e ndihmon këtë hap, patjetër”, nënvizoi ajo.

Diskutimi u ndal edhe te motivet që i shtyjnë njerëzit të martohen, nëse zgjedhja bëhet nga dashuria apo nga frika për të mos mbetur vetëm. Aliçkolli vuri në dukje se vajzat sot po synojnë të jenë fillimisht të realizuara në jetën e tyre, përpara se të vendosin të martohen.

“Ne e kemi nisur nga bashkëjetesa. Na ka shërbyer kjo për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin. Kur je në një martesë që s’të ndalon ty të realizosh ëndrrat e tua, nuk të kufizon hapësirën tënde, besoj se funksionon dhe funksionon mire. Vajzat po kërkojnë të jenë fillimisht të realizuara vetë, pastaj të martohen”, u shpreh Aliçkolli.

Psikologia Dhima theksoi gjithashtu rëndësinë e familjes dhe vlerave tradicionale, duke nënvizuar se kjo nuk do të thotë se çdo martesë duhet të zgjasë përgjithmonë.

“Koncepti i familjes lidhet me vijimësinë e jetës. Unë personalisht ndaj vlera tradicionale në familje. Kjo s’do të thotë që çdo martesë duhet të zgjasë gjithmonë. Ne duhet të marrim kohën tonë për veten, për familjen, për karrierën. Ka kohë për të gjitha. Dhe thjesht duhet të dimë se kur do e kërkojmë, në çfarë kohe”, u shpreh psikologia.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion