Kjo pyetje drejtuar Trump-it i kushtoi shtrenjtë gazetares së Bloomberg/ Zyrtarët kinezë e përjashtuan nga takimi

Zyrtarët kinezë e ndaluan një gazetare të agjencisë "Bloomberg" të merrte pjesë në një takim të rëndësishëm midis Presidentit Donald Trump, Presidentit kinez Xi Jinping dhe Presidentit rus Vladimir Putin, pasi ajo kishte bërë një pyetje gjatë një sesioni dypalësh të mëparshëm.
Ky incident lidhur me qasjen e shtypit ndodhi në kuadër të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Shenzhen, Kinë, ku tre liderët u mblodhën për takimin e tyre të parë trepalësh për të diskutuar mbi kontrollin e armëve bërthamore, tregtinë dhe luftërat në Ukrainë e Iran.
Pavarësisht përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të mundësuar pjesëmarrjen e saj, zyrtarët kinezë nuk pranuan të tërhiqen nga vendimi për ta mbajtur gazetaren e "Bloomberg", Annmarie Hordern, jashtë sallës.
Hordern u pengua pasi ajo i drejtoi një pyetje Trump-it gjatë takimit të tij kokë më kokë me Xi-në: "President Trump, a ka qenë Jensen Huang jobesnik ndaj Shteteve të Bashkuara?"
Një gazetar tjetër gjithashtu nisi të bënte një pyetje gjatë sesionit dypalësh, por u ndalua nga zyrtarët kinezë.
Më pas, Pekini i përcolli një mesazh grupit të gazetarëve që shoqëronin delegacionin amerikan, duke paralajmëruar se bërja e pyetjeve me zë të lartë konsiderohet "tejet e pasjellshme" dhe se gazetarët që veprojnë në këtë mënyrë do të nxirren jashtë sallës.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në kushtet e anonimitetit për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se zyrtarët kinezë këmbëngulën që Hordern të mos lejohej në takimin trepalësh, edhe pse Shtëpia e Bardhë kërkoi që ajo të përfshihej.


