Një kardiolog në krye të Listës Studentore, kush është “kryeministri” i ri i Serbisë

Euforia e fitores historike të lëvizjes studentore në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Serbi, po ia lë ngadalë vendin pyetjes se kush do të vendoset në krye të qeverisë së re.
Për momentin, Lista Studentore e cila u shndërrua nga një lëvizje protestash masive në një forcë politike mjaftueshëm të fuqishme sa për ta larguar Aleksandar Vuçiçin nga pushteti, nuk ka propozuar asnjë kandidat për kryeministër.
Ky vendim, sipas ekspertëve, me gjasë pasqyron strukturën e saj organike, që e dallon nga establishmenti politik, të cilin e akuzoi vazhdimisht për krijimin e një mjedisi ku lulëzoi korrupsionit. Deri më tani, kandidati favorit për kryeministër është Ilija Srdanoviç, kryesuesi i listës së kësaj force të re politike.
Mjeku kardiolog 56-vjeçar, u bë i njohur gjatë fushatës zgjedhore si një mbështetës i zëshëm i studentëve.
“Serbia nuk është gati për ndryshim; ajo tashmë ka ndryshuar”, deklaronte ai në fillim të këtij viti, duke shtuar: “Serbia po fiton, sepse studentët po fitojnë.”
Srdanoviç, njëkohësisht profesor universitar nga Novi Sadi, u hodh pa hezitim në anën e protestave studentore që prej tragjedisë së shembjes së strehës së stacionit hekurudhor.
Lista Studentore thotë se nuk ka një udhëheqës të vetëm dhe se për çdo post ekzistojnë disa kandidatë të mundshëm.
Triumfi i saj në zgjedhjet parlamentare shënon kalimin e lëvizjes nga protestat në rrugë drejt përfaqësimit politik, e ky i fundit, përbën një sfidë më vete, me mënyrën sesi rezultati zgjedhor do të konkretizohet me formimin e qeverisë se rë dhe në drejtimin e ardhshëm të vendit.


