“Ia vlen të luftojmë për të ardhmen tonë”, 15 të rinj padisin qeverinë kanadeze për politikat klimatike

Pesëmbëdhjetë të rinj do të përpiqen të sigurojnë një vendim gjyqësor kundër shtetit kanadez për mosveprimin ndaj krizës klimatike, në një proces të paprecedentë në vend, i cili nis sot në Gjykatën Federale në Vankuver.
Ashtu si këta 15 paditës, të moshës 17 deri në 25 vjeç, aktivistët për mbrojtjen e mjedisit po i drejtohen gjithnjë e më shpesh drejtësisë në mbarë botën, me synimin për t’i detyruar qeveritë dhe kompanitë të ndërmarrin masa për të luftuar ndryshimet klimatike.
“Dua që më në fund të kem mundësinë të shprehem para gjykatës dhe që zëri im të dëgjohet”, tha për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) Sadi Vipond, një nga paditëset, 19 vjeçe, nga Kalgari. “E ardhmja jonë dhe të drejtat tona ia vlejnë që të luftojmë për to”, shtoi ajo.
Procesi gjyqësor, i njohur si çështja La Rose, sipas mbiemrit të njërës prej paditëseve, pritet të zgjasë pesë javë. Të rinjtë do të përpiqen të provojnë se shteti ka shkelur “të drejtat e tyre kushtetuese për jetën, lirinë dhe sigurinë”, duke dështuar t’i mbrojë nga “kërcënimi ekzistencial” që përbëjnë ndryshimet klimatike.
Ata kërkojnë që gjykata ta detyrojë shtetin kanadez të forcojë planin për uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe të përmbushë objektivat e përcaktuara prej tij. Plani aktual, më pak ambicioz se planet e disa fuqive të tjera të mëdha, parashikon uljen e emetimeve me 40% deri në 45% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2005. Megjithatë, qeveria ka njoftuar së fundmi se ky objektiv nuk do të arrihet.
Avokatët e të rinjve do të thërrasin për të dëshmuar shkencëtarë, një pediatër dhe inxhinierë, të cilët do të shpjegojnë pasojat konkrete të ndryshimeve klimatike për këta të rinj, si dhe ndikimin e tyre në shëndetin fizik dhe mendor.
Procesi, i cili vjen pas shtatë vitesh procedurash gjyqësore, pritet të përfundojë në fund të shkurtit të vitit 2027.
Një çështje ligjore
Shqyrtimi nga një gjykatë i respektimit të Kushtetutës nga shteti federal në lidhje me ndryshimet klimatike përbën një rast të paprecedentë në Kanada. Autoritetet e konsiderojnë klimën një çështje politike, theksoi njëra prej avokateve të paditësve, Catherine Boies Parker.
Megjithatë, sipas saj, kjo është edhe “një çështje ligjore”, të cilën gjykata mund ta shqyrtojë kur veprimet ose mosveprimet e një qeverie u shkaktojnë dëm qytetarëve të saj.
Vitet e fundit, qindra çështje të ngjashme janë paraqitur në gjykata në mbarë botën, me synimin për t’i detyruar shtetet të ndërmarrin masa kundër ndryshimeve klimatike. Disa prej tyre kanë shënuar suksese të rëndësishme, si në Holandë dhe Korenë e Jugut.
Ashtu si në Kanada, edhe në disa vende të tjera paditë janë ngritur nga të rinj. Në Gjermani, nëntë aktivistë arritën në vitin 2021 të siguronin një vendim historik nga Gjykata Kushtetuese Federale, e cila urdhëroi qeverinë të forconte objektivat për uljen e emetimeve, duke iu referuar “të drejtave themelore” të brezave të rinj.
Sipas Maria Antonia Tigre, nga Qendra Sabin për Ligjin mbi Ndryshimet Klimatike në Universitetin Columbia, çështja gjermane, si dhe opinioni këshillimor i vitit 2025 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë mbi detyrimin e shteteve për të mbrojtur klimën “për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”, mund të merren në konsideratë edhe nga drejtësia kanadeze.
Zjarret, përmbytjet dhe temperaturat ekstreme
Përhapja e zjarreve pyjore, përmbytjet dhe temperaturat ekstreme janë disa nga pasojat e ndryshimeve klimatike që 15 të rinjtë kanadezë do të përshkruajnë para gjykatës, duke treguar se si i kanë përjetuar ato drejtpërdrejt.
“Mbaj mend vitin 2015, kur pjesa veriore e provincës Saskatchewan u përfshi nga zjarret. Ajri ishte mbytës dhe nuk mund të merrnim frymë”, tha Lauren Wright, e cila vjen nga kjo provincë në Kanadanë qendrore.
Procesi gjyqësor zhvillohet në një kohë kur kryeministri Mark Carney, i cili mori detyrën në mars të vitit 2025, ka shfuqizuar disa masa mjedisore të miratuara nga paraardhësi i tij, Justin Trudeau. Mes tyre janë taksa e karbonit për individët dhe kufizimi i emetimeve në sektorin e naftës.
Në kushtet e një lufte tregtare me Shtetet e Bashkuara, Carney synon të nxisë projekte të mëdha, veçanërisht në sektorin e energjisë, për të ulur varësinë e Kanadasë nga fqinji i saj jugor. Në këtë kuadër, angazhimet për klimën të marra nga qeveria e mëparshme kanë kaluar në plan të dytë.


