“Ulni armët, rrisni pagat”!/ Italia përgatitet për valë të re protestash në 30 tetor

Italia përgatitet për një valë të re protestash, të planifikuara për të premten, në kuadër të grevës së përgjithshme të shpallur nga sindikata USB.
Autoritetet e sigurisë kanë nisur punën për garantimin e rendit publik, ndërsa vëmendja është përqendruar te mobilizimet e pritshme në qytetet kryesore të vendit.
Nën sloganin “Ulni armët, rrisni pagat. Të bllokojmë gjithçka!”, protestuesit do të dalin në rrugë kundër luftës dhe rritjes së kostos së jetesës. Mobilizimi pritet të bashkojë punëtorë, pensionistë, studentë, lëvizje për të drejtën e strehimit dhe grupe në mbështetje të Palestinës.
Më 30 tetor, greva do të prekë sektorë të ndryshëm, nga arsimi dhe shëndetësia deri te punonjësit e porteve. Manifestime janë paralajmëruar në Romë, Milano, Bolonja, Torino, Firence, Napoli dhe Palermo.
Sindikata USB u ka bërë thirrje qytetarëve dhe kategorive të ndryshme shoqërore që të bashkohen në një mobilizim të përbashkët, duke kërkuar kontrollin e çmimeve, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe orientimin e shpenzimeve publike drejt shërbimeve sociale dhe jo armatimeve.
Thirrjes i janë përgjigjur studentë universitarë dhe të shkollave të mesme, fermerë, transportues, organizata që mbrojnë të drejtën për strehim dhe qendra sociale.
Ndërkohë, sdipas mediave italiane, strukturat përgjegjëse për rendin publik po ndjekin me vëmendje përgatitjet për protestat e ardhshme.
Përveç kontrolleve në terren dhe kontakteve me organizatorët, vëmendja do të përqendrohet edhe te aktiviteti në internet, me synimin për të identifikuar grupe të mundshme të dhunshme që mund t’u bashkohen protestave, si dhe lidhje të mundshme mes vatrave të ndryshme të pakënaqësisë.


