Nga “Kurthi i Tukididit” te “Shpata e Damokleut”/ Referencat e Xi-së te historia e lashtë

Xi Jinping po përdor terma dhe referenca nga historia e lashtë për të paralajmëruar mbi rreziqet e një përplasjeje mes fuqive të mëdha. Brenda pak muajsh, presidenti kinez ka përmendur “Kurthin e Tukididit”, duke iu referuar rivalitetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, si dhe “Shpatën e Damokleut”, për të përshkruar kërcënimin e vazhdueshëm të armëve bërthamore. Dy referenca me origjinë të ndryshme historike, por me një mesazh të përbashkët mbi pasojat e një konflikti që mund të dalë jashtë kontrollit.
Referenca më e fundit u bë këtë të enjte (19 nëntor), gjatë samitit historik trepalësh në Shenzhen, ku Xi u takua me Donald Trumpin dhe Vladimir Putinin.
Presidenti kinez bëri thirrje për ndalimin dhe shkatërrimin e armëve bërthamore, duke zgjedhur t’i referohet në mënyrë simbolike “Shpatës së Damokleut” për të nënvizuar rrezikun e një lufte bërthamore.
Megjithatë, kjo nuk ishte hera e parë që Xi kërkonte një paralele mes Greqisë së lashtë dhe realiteteve moderne gjeopolitike. Majin e kaluar, gjatë takimit me Trumpin në Pekin, ai i ishte referuar “Kurthit të Tukididit”, duke ngritur pyetjen nëse dy vendet mund të shmangnin një konflikt të ngjashëm me atë mes Athinës dhe Spartës së lashtë.

“Shpata e Damokleut” e armëve bërthamore
“Armët bërthamore janë ‘Shpata e Damokleut’ që varet mbi njerëzimin”, deklaroi Xi Jinping në Shenzhen, sipas agjencisë kineze të lajmeve Xinhua.
Presidenti kinez argumentoi se armët bërthamore duhet të ndalohen dhe të shkatërrohen plotësisht, me synimin përfundimtar për një botë pa armë bërthamore.
“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të nisë kurrë”, shtoi ai, duke theksuar nevojën për dialog dhe parandalim të krizave mes tre vendeve.
Deklarata e tij erdhi pas skadimit të traktatit New START, i cili kufizonte arsenalet bërthamore strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Trump shpreson në përfshirjen e Kinës në një kuadër më të gjerë të kontrollit të armëve, ndërsa Xi promovoi objektivin e eliminimit të plotë të tyre.
Megjithatë, referenca ndaj “Shpatës së Damokleut” nuk është risi në ligjërimin e presidentit kinez. Ai e kishte përdorur atë edhe në vitin 2017, në një fjalim të mbajtur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, duke iu referuar domosdoshmërisë së çarmatimit bërthamore.
Çfarë simbolizon “Shpata e Damokleut”?
Historia e Damokleut zhvillohet në Siçilinë e lashtë, në oborrin e Dionisit, tiranit të Sirakuzës, dhe u bë e njohur sidomos falë veprës së oratorit dhe filozofit romak, Ciceronit.
Damokleu, duke admiruar pasurinë dhe pushtetin e sovranit, besonte se ai bënte jetën më të lumtur. Prandaj, Dionisi vendosi t’i lironte përkohësisht vendin, duke i lejuar të shijonte të gjitha komoditetet dhe privilegjet e fronit.
Kënaqësia, megjithatë, nuk zgjati shumë. Mbi kokën e Damokleut varej një shpatë e mprehtë, e mbajtur vetëm nga një qime kali, e cila mund të këputej në çdo çast. Përballë rrezikut të vazhdueshëm, Damokleu nuk mundi t’i shijonte më privilegjet e tij. Mësimi ishte se pushteti, sado i madh të jetë, shoqërohet gjithmonë me frikë dhe pasiguri.
Që atëherë, “Shpata e Damokleut” është bërë simbol i një kërcënimi gjithmonë të pranishëm, edhe kur ai nuk shfaqet hapur. Me këtë imazh, Xi i përshkroi armët bërthamore si një rrezik që vijon të kërcënojë njerëzimin edhe në kohë paqeje.
“Kurthi i Tukididit” dhe konkurrenca mes SHBA-së dhe Kinës
Në maj të vitit 2026, Xi kishte përdorur një tjetër referencë nga Greqia e lashtë për të përshkruar marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonit.
Gjatë takimit me Donald Trumpin në Pekin, ai kishte ngritur pyetjen: “A mund ta kapërcejnë Kina dhe Shtetet e Bashkuara ‘Kurthin e Tukididit’ dhe të krijojnë një model të ri marrëdhëniesh?”.
“Kurthi i Tukididit” përshkruan rrezikun e luftës që lind kur një fuqi në ngritje kërcënon të zëvendësojë një fuqi tashmë dominuese. Koncepti u bë i njohur nga politikologu amerikan Graham Allison, i cili e përdori për të analizuar rivalitetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Pikënisja e tij historike është Lufta e Peloponezit, e shpërthyer në vitin 431 p.e.s. mes Athinës dhe Spartës. Tukididi, në veprën e tij “Historia e Luftës së Peloponezit”, ia atribuoi shkakun kryesor të konfliktit rritjes së fuqisë së Athinës dhe frikës që ajo i shkaktonte Spartës.
Athina po forconte ndikimin e saj detar dhe politik, ndërsa Sparta e shihte të kërcënuar ekuilibrin e forcave në botën greke. Vetë Tukididi nuk e përdori kurrë termin “kurth”.
Ky është një interpretim modern i vëzhgimit të tij historik, i cili nuk do të thotë se lufta mes një fuqie në ngritje dhe një fuqie dominuese është e pashmangshme. Ky ishte edhe mesazhi i Xi-së: Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë mënyra për të bashkëjetuar, në mënyrë që konkurrenca e tyre të mos degjenerojë në përplasje ushtarake.

Nga frika e Spartës te kërcënimi bërthamor
Edhe pse vijnë nga rrëfime të ndryshme historike, dy deklaratat e Xi Jinpingut lidhen me rreziqet e përballjes mes shteteve të fuqishme. “Kurthi i Tukididit” përshkruan se si frika nga ngritja e një fuqie tjetër mund të çojë drejt luftës.
“Shpata e Damokleut” na kujton se, edhe në mungesë të një konflikti të hapur, ekzistenca e arsenaleve bërthamore përbën një kërcënim të vazhdueshëm. Nga takimi dypalësh i Pekinit te samiti trepalësh i Shenzhenit, presidenti kinez shfrytëzon historinë e lashtë greke për të nënvizuar nevojën e mirëkuptimit mes fuqive të mëdha.
Mesazhi i përbashkët i të dyja referencave është se pushteti më vete nuk garanton siguri, sidomos kur shoqërohet me frikë, dyshim dhe me rrezikun e një konflikti me pasoja të pakontrollueshme.