Ndeshja Shqipëri-Finlandë, kërdia me numrin e biletave të shitura deri më tani, zbulohet shuma

Edhe pse një muaj para sfidës vendimtare me Finlandën, gjysma e stadiumit është shitur.
Një sinjal i fortë se tifozët shqiptarë nuk presin më vetëm përballjet me emrat e mëdhenj të futbollit për të mbështetur Kombëtaren.
Janë shitur 10 mijë bileta, apo rreth 50% e kapacitetit të stadiumit, për ndeshjen Shqipëri-Finlandë, që luhet pas rreth një muaji, më 15 nëntor. Kjo është një sfidë me peshë të veçantë për kuqezinjtë, që synojnë të luftojnë për vendin e parë. Në një përballje ku çdo detaj mund të bëjë diferencën, mbështetja nga shkallët e stadiumit është një tjetër armë për skuadrën.
Përtej rezultateve dhe emrave që zbresin në fushë, fanella kuqezi përfaqëson diçka më të madhe. Është djersa e lojtarëve që përpiqen të japin maksimumin, pavarësisht vështirësive dhe mundësive, për ta ngjitur Shqipërinë sa më lart. Është krenaria e një vendi që e sheh Kombëtaren si simbol përfaqësimi dhe bashkimi.
Dikur, ndeshjet me Anglinë, Gjermaninë, Italinë apo Holandën ishin ato që mbushnin stadiumet dhe zgjonin interesin më të madh. Sot, duket se diçka ka ndryshuar. Tifozët nuk nxitojnë më vetëm për të parë kundërshtarët e mëdhenj, por për të qenë pranë Shqipërisë. Një ndryshim që tregon se lidhja me Kombëtaren po shkon përtej emrit të rivalit.
Sepse lojtari i 12-të nuk është thjesht një tifoz në tribunë. Është zëri që shtyn skuadrën përpara kur lodhja ndihet, duartrokitja që vjen edhe pas një gabimi dhe besimi që nuk shuhet pas një rezultati jo të mirë. Për Shqipëri-Finlandë, mesazhi ka ardhur herët: kuqezinjtë nuk janë vetëm.


