Ndërron jetë në moshën 41-vjeçare regjisori Gjergj Mena pas betejës me sëmundjen

Aktori dhe regjisori Gjergj Mena është ndarë nga jeta në moshën 41-vjeçare, duke lënë pas një kontribut të rëndësishëm në skenën teatrore shqiptare, veçanërisht në promovimin dhe edukimin artistik të brezit të ri.
Lajmi i trishtë është bërë i ditur përmes faqes “Eja në Teatër” në Instagram, ku kolegët dhe bashkëpunëtorët e kanë kujtuar me fjalë prekëse, duke vlerësuar përkushtimin dhe punën e tij në teatër.
Për shtatë vite me radhë, Mena drejtoi me pasion festivalin teatror për të rinj “TK RIN ART”, një projekt që u dha mundësinë qindra të rinjve dhe të rejave të njiheshin me skenën, të zhvillonin talentin dhe të krijonin lidhjen e tyre me teatrin.
Kontributi i tij në këtë festival është dokumentuar edhe në edicionet e zhvilluara ndër vite. Mena ka qenë pjesë e drejtimit artistik dhe organizativ të aktivitetit, duke bashkëpunuar me regjisorë të rinj dhe shkolla të ndryshme të Tiranës. Në edicionin e vitit 2025, ai u prezantua si drejtor ekzekutiv i festivalit, i cili përfshinte nëntë shkolla dhe rreth 120 gjimnazistë pjesëmarrës.
Shfaqja “Yerma”, e bazuar në veprën e dramaturgut spanjoll Federico García Lorca dhe me regji të Menës, ishte një nga punët e tij të fundit. E vënë në skenë në Teatrin e Kukullave, ajo solli në fokus një grup artistësh të rinj dhe dëshmoi përkushtimin e regjisorit ndaj krijimit të hapësirave për talentet e reja.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, “Eja në Teatër” e kujton Menën si një artist që la gjurmë jo vetëm përmes punës së tij, por edhe përmes të rinjve që afroi me artin skenik.
“Sot, skena mbetet më e varfër. Ikja e tij e këput kaq herët një rrugëtim që kishte ende shumë për të dhënë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Gjergj Mena do të përcillet në banesën e fundit këtë të hënë, në orën 14:00, në varrezat e Sharrës.
Postimi i plotë:
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit dhe regjisorit Gjergj Mena.
Për shtatë vite me radhë, ai drejtoi me dashuri e përkushtim festivalin teatror për të rinj “TK RIN ART”. Përmes punës së tij, qindra të rinj e të reja u afruan me skenën dhe mësuan ta duan teatrin.
Shfaqja “Yerma”, vepra e tij e fundit, u prit me shumë sukses dhe dëshmoi edhe një herë ndjeshmërinë e tij artistike. Ajo do të mbetet një prej gjurmëve të rrugëtimit të tij, si edhe një frymëzim për të rinjtë që do të ndërtojnë teatrin e së ardhmes.
Sot, skena mbetet më e varfër. Ikja e tij e këput kaq herët një rrugëtim që kishte ende shumë për të dhënë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit artistik. Qofsh i dritës, Gjergj🕯️”

