Natë e tensionuar në Prishtinë, gaz lotsjellës dhe zjarre pas protestës para Kuvendit

Tensionet janë përshkallëzuar mbrëmjen e sotme në Prishtinë, ku protesta para Kuvendit të Kosovës ka kaluar në përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Në disa prej rrugëve pranë Kuvendit janë djegur kontejnerë, ndërsa forcat speciale të policisë kanë përdorur gaz lotsjellës pasi protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të objektit.
Protestuesit kanë bllokuar rrugët përreth Kuvendit dhe kanë qëndruar pranë barrierave të vendosura nga policia, duke kërkuar që deputetët të mos largohen nga aty pa u votuar në lexim të dytë projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Gjatë protestës janë hedhur fishekzjarre dhe mjete të tjera piroteknike, ndërsa nga përplasjet janë raportuar edhe dëmtime të xhamave të ndërtesës. Nisur nga situata në mbrëmje policia e shtoi praninë në terren dhe ka vendosur një kordon sigurie përpara Kuvendit.
Më herët gjatë ditës, protestuesit ndaluan edhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, teksa po largohej nga Kuvendi, duke e kthyer me forcë drejt objektit.
Një prej organizatorëve të protestës, Çlirim Haziri, ka deklaruar se deputetët nuk duhet të largohen nga Kuvendi pa u votuar projektligji, duke përdorur edhe shprehjen se ata do të dalin “mbi trupat e tyre”.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka mbyllur dyert e Kuvendit, ndërsa brenda objektit kanë mbetur deputetë dhe gazetarë. Njësitë policore janë vendosur në pjesën e përparme të ndërtesës për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
Protesta është zhvilluar në një ditë kur në Kuvend është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme lidhur me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Seanca e jashtëzakonshme është mbyllur, ndërsa zhvillimet politike pritet të vijojnë edhe përmes takimeve mes përfaqësuesve të partive politike.

Pas përfundimit të seancës, vëmendja është zhvendosur edhe te takimi i paralajmëruar mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Sipas raportimeve, takimi nuk ka prodhuar marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe PDK-së, duke lënë të pandryshuar situatën politike dhe rrjedhimisht Kosova rrezikon që të shkojë sërish në zgjedhje.


