Sulmohet autoblinda me para në mes të autostradës në Itali, flakë dhe gozhda në asfalt

Bota

Sulmohet autoblinda me para në mes të autostradës në Itali,

Një tentativë grabitjeje e një furgoni të blinduar që transportonte para ka shkaktuar kaos në autostradën A14 Bolonjë-Taranto, në Itali. Një grup i armatosur dyshohet se ka ngritur disa bllokada në rrugë për të sulmuar automjetin, ndërsa gjatë operacionit disa automjete janë përfshirë nga flakët.

Ngjarja ka ndodhur në zonën mes Foggias dhe Cerignolas, pranë zonës industriale të Foggias. Sipas raportimeve paraprake, autorët kanë përdorur disa automjete për të bllokuar qarkullimin dhe kanë shpërndarë një sasi të madhe gozhdash në asfalt.

Kjo është një metodë e përdorur nga grupe kriminale të specializuara në grabitjen e automjeteve të blinduara, me synim pengimin e ndërhyrjes së policisë dhe vështirësimin e çdo ndjekjeje të mundshme.

Disa automjete janë djegur gjatë ngjarjes, ndërsa autostrada është mbyllur në të dyja drejtimet. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë rrugore, zjarrfikësit dhe ekipet e mirëmbajtjes së autostradës.

Deri tani nuk është bërë e qartë nëse autorët kanë arritur të hapin furgonin e blinduar dhe të marrin paratë që transportonte. Sakaq, policia po punon për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe për të verifikuar nëse ka persona të lënduar.

Bllokimi i autostradës ka shkaktuar probleme të konsiderueshme në qarkullim. Për automjetet që udhëtojnë drejt Barit është rekomanduar dalja në zonën industriale të Foggias, vijimi përmes rrugës shtetërore 16 dhe më pas rikthimi në autostradë në Cerignola Est.

Ndërkohë, për drejtimin e kundërt, drejt Pescara-s, janë dhënë udhëzime alternative për shmangien e segmentit të bllokuar.

ME TE LEXUARAT