Ç’po ndodh? Bllokohet rruga dytësore Tiranë-Durrës, ARRSH del me njoftim për qytetarët

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar bllokimin e përkohshëm të qarkullimit në një segment të rrugës dytësore Tiranë-Durrës, për shkak të punimeve për montimin e trarëve të mbikalimit të Nyjës së Laknasit.
Kufizimi do të jetë në fuqi nga mbrëmja e 19 nëntorit deri në orët e para të mëngjesit të 20 nëntorit, në intervalin kohor 22:00–05:00. Qytetarëve u bëhet thirrje të planifikojnë paraprakisht itinerarin e tyre, të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën e përkohshme dhe udhëzimet e personelit përgjegjës për menaxhimin e trafikut.
Njoftimi i Autoritetit Rrugor shqiptar:
Në kuadër të zbatimit të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës, Faza III”, janë duke u kryer punimet për montimin e trarëve të mbikalimit të Nyjes së Laknasit, për realizimin e këtyre punimeve do të bllokohet përkohësisht qarkullimi i mjeteve në rrugën dytësore, në segmentin Mbikalimi i Kamzës – Mbikalimi i Kasharit (krahu i djathtë), në të dyja senset e lëvizjes.
📆Punimet do të zhvillohen duke filluar sot më 19.11.2026 deri nesër më 20.11.2026, nga ora 22:00 – 05:00.
⚠️Kontraktori ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e trafikut, vendosjen e sinjalistikës së përkohshme dhe garantimin e sigurisë rrugore në zonën e punimeve.
🔊U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të planifikojnë paraprakisht itinerarin e tyre, të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën e përkohshme dhe udhëzimet e personelit përgjegjës për menaxhimin e trafikut.
🙏 Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë zhvillimit të këtyre punimeve!

