Muzika, një terapi për zemrën/ E thotë studimi: Ul rrahjet kardiake dhe presionin e gjakut

Muzika mund të ketë efekte pozitive në shëndetin e zemrës, duke ndihmuar në rregullimin e ritmit të saj, uljen e presionit të gjakut dhe kontrollin e ankthit, shkruan salute.eu.
Edhe lutjet me ritëm të përsëritur, si Rruzarja, apo mantrat e murgjve tibetianë, mund të ndikojnë në qetësimin e organizmit dhe përmirësimin e mirëqenies kardiovaskulare.
Një studim i ri, i publikuar në revistën shkencore “Heart”, ka treguar se muzikoterapia mund të ndihmojë pacientët që i nënshtrohen koronarografisë, një ekzaminim që përdoret për të vlerësuar qarkullimin e gjakut në arteriet koronare, me ose pa ndërhyrje përmes angioplastikës.
Sipas studiuesve, dëgjimi i muzikës para dhe gjatë procedurës shoqërohet me ulje të presionit sistolik të gjakut, të frekuencës kardiake dhe të niveleve të troponinës, një proteinë që shërben si tregues i mundshëm i dëmtimit të muskulit të zemrës. Gjithashtu, pacientët raportuan nivele më të ulëta dhimbjeje.
Studimi: Muzika si mbështetje gjatë procedurave kardiake
Studimi MUS.E I, i drejtuar nga studiuesi Bernardo Cortese, përfshiu 100 pacientë, të ndarë në tre grupe.
Grupit të parë iu ofrua muzikoterapi e personalizuar për 30 minuta përpara koronarografisë, ndërsa grupi i dytë dëgjoi muzikë si para ashtu edhe gjatë procedurës. Grupi i tretë iu nënshtrua vetëm kujdesit standard mjekësor.
Studiuesit monitoruan presionin e gjakut, frekuencën dhe ritmin kardiak, nivelin e oksigjenit në gjak, kortizolin, hormonin e stresit, si dhe biomarkerët që tregojnë dëmtimin e mundshëm të muskulit të zemrës.
Muzika ul rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut
Rezultatet treguan se gjatë procedurës, frekuenca mesatare e zemrës ishte dukshëm më e ulët te pacientët që dëgjuan muzikë, me 71-72 rrahje në minutë, krahasuar me 80 rrahje në minutë te grupi që mori vetëm kujdesin standard.
Ndërkohë, presioni sistolik i gjakut ishte më i ulët te pacientët që dëgjuan muzikë edhe gjatë ndërhyrjes, duke arritur mesatarisht rreth 125 mmHg, kundrejt 136 mmHg në grupin e kontrollit.
Pas procedurës, pacientët që dëgjuan muzikë gjatë gjithë procesit paraqitën gjithashtu presion më të ulët të gjakut dhe nivele më të reduktuara të dhimbjes. Nivelet e troponinës rezultuan më të ulëta në të dy grupet që iu nënshtruan muzikoterapisë.
Sa i përket preferencave muzikore, muzika pop ishte zgjedhja më e shpeshtë e pacientëve, me 28%, e ndjekur nga xhazi me 14%, tingujt e natyrës me 11%, muzika klasike me 9% dhe opera me 4%.
### Ekspertët: Muzika duhet të bëhet pjesë e kujdesit kardiologjik
Autorët e studimit sugjerojnë që muzikoterapia të përfshihet në laboratorët e kateterizimit kardiak, me qëllim që procedurat të jenë më pak stresuese dhe më të pranueshme për pacientët.
Edhe Stefano Carugo, drejtor i Kardiologjisë në Poliklinikën e Milanos, thekson se stresi është një faktor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare dhe se edhe ekzaminimet diagnostikuese mund të shkaktojnë tension emocional.
Sipas tij, ky studim tregon se muzika mund të ndihmojë në uljen e stresit, frekuencës së zemrës dhe presionit të gjakut, duke ndikuar pozitivisht edhe në sistemin nervor simpatik.
Eksperti nënvizon se muzika mund të shërbejë si një mënyrë e thjeshtë për t’i ndihmuar pacientët të përballojnë më mirë procedurat diagnostikuese dhe, potencialisht, të mbështesë edhe proceset e rehabilitimit kardiak.


