"Mundësi edhe për emigrantët..." Pirdeni zbulon detajet e reformës së re

Aktualitet

"Mundësi edhe për emigrantët..." Pirdeni zbulon detajet
Ministrja Adea Pirdeni ka zbardhur detaje të reformës së re në administratën publike, e cila synon të ndryshojë mënyrën e vlerësimit, promovimit dhe zhvillimit profesional të punonjësve të shtetit. Në qendër të saj është mekanizmi “Shkalla e Meritës”, që sipas ministres do të prekë të gjithë rrugëtimin e karrierës në administratë, duke krijuar mundësi konkrete për të gjithë ata që duan të provojnë aftësitë e tyre.

Pirdeni tha se aktualisht ekziston një distancë shqetësuese mes kontributit që japin punonjësit dhe mënyrës se si ky kontribut vlerësohet. Sipas saj, kjo situatë penalizon punonjësit që angazhohen dhe japin rezultate, por që jo gjithmonë arrijnë të marrin vlerësimin e merituar.

Përmes sistemit të ri, qeveria synon të ndryshojë këtë realitet, duke ndërtuar mekanizma konkretë që mundësojnë matjen e aftësive dhe performancës. Punonjësit që do të kalojnë testimet do të pajisen me certifikatë, ndërsa do të krijohet edhe një rezervë talentesh, nga e cila administrata mund të përzgjedhë profesionistët e nevojshëm sipas vendeve vakante dhe nevojave të saj.

Një element i rëndësishëm i kësaj nisme është se mundësia për të konkurruar nuk do të kufizohet vetëm brenda vendit. Sipas Pirdenit, sistemi do të jetë i hapur edhe për shqiptarët që jetojnë në diasporë, duke synuar të tërheqë në administratën publike profesionistë dhe individë me përgatitje të lartë.

Ministrja theksoi se reforma nuk do të kufizohet vetëm te testimi dhe certifikimi i punonjësve, por do të përfshijë të gjithë zhvillimin e tyre në karrierë. Një tjetër aspekt që do të vlerësohet është edhe aftësia e drejtuesve për të ndërtuar ekipe profesionale dhe për të menaxhuar burimet njerëzore në institucionet që drejtojnë.

Pirdeni nënvizoi gjithashtu se një administratë me punonjës të aftë kërkon edhe kushte më të mira pune, duke theksuar se reforma nuk duhet parë vetëm si një ndryshim për nëpunësit civilë, por si një transformim i mënyrës se si shteti u shërben qytetarëve.

Sipas ministres, brenda këtij viti pritet të nisë një proces më i gjerë ndryshimi, përmes mekanizmave të rinj të vlerësimit dhe zhvillimit profesional. Ajo u shpreh se objektivi është krijimi i një administrate ku njerëzit e aftë të kenë hapësirën dhe mundësinë për të ecur përpara në bazë të meritës.

Më herët, kryeministri Edi Rama u ndal te nevoja për të ndryshuar sistemin e rekrutimit dhe promovimit në administratë, duke prezantuar “Shkallën e Meritës” si një instrument për të rritur profesionalizmin, transparencën dhe përgjegjshmërinë e punonjësve të shtetit.

Reforma synon të krijojë një administratë më konkurruese dhe më efikase, ku karriera të ndërtohet mbi aftësitë dhe rezultatet, ndërsa qytetarët të përfitojnë shërbime më cilësore nga institucionet publike

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion