Mishi artificial drejt tregut shqiptar? Përcaktohen kriteret për prodhimin dhe kontrollin

Shqipëria po përfshin shprehimisht ushqimet e prodhuara nga kultura qelizore dhe indore të kafshëve në kategorinë e ushqimeve të reja, duke krijuar një bazë më të qartë ligjore për autorizimin e produkteve si mishi i kultivuar në laborator.
Projektligji i ri “Për ushqimin”, aktualisht në konsultim publik, parashikon që prodhimi dhe vendosja në treg e këtyre produkteve të kushtëzohet nga autorizimi përkatës, ndërsa dispozitat do të fillojnë të zbatohen më 1 gusht 2028.
Parashikimi lidhet me një nga zhvillimet më të reja të industrisë ushqimore, ku mishi mund të prodhohet përmes kultivimit të qelizave shtazore në mjedise të kontrolluara, pa qenë e nevojshme therja e kafshëve për prodhimin e tij.
Teknologjia ndryshon nga prodhimi i zëvendësuesve bimorë të mishit. Në rastin e mishit të kultivuar, produkti përftohet nga qeliza shtazore, ndërsa alternativat bimore prodhohen nga përbërës si soja, bizelet ose proteina të tjera me origjinë bimore.
Projektligji shqiptar nuk përdor shprehimisht termin “mish laboratori”, por në nenin 31 përfshin ushqimet e përbëra, të izoluara ose të prodhuara nga kultura qelizore apo indore të përftuara nga kafshët, bimët, mikroorganizmat, kërpudhat dhe algat.
Ky formulim përputhet me kategorinë e ushqimeve të reja të përcaktuar në legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Prodhimi në Shqipëri do të kërkojë autorizim kombëtar
Sipas nenit 32, produktet ushqimore të reja që synohet të prodhohen në Shqipëri dhe nuk mbulohen nga një autorizim i vlefshëm i BE-së mund të prodhohen dhe të vendosen në treg vetëm pas marrjes së autorizimit kombëtar.
Autorizimi do të jepet nga një komision i posaçëm, mbi bazën e vlerësimit të sigurisë së produktit dhe përputhshmërisë me kriteret përkatëse të legjislacionit evropian të përafruar në Shqipëri.
Komisioni do të përbëhet nga pesë anëtarë, tre përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për ushqimin dhe dy përfaqësues të autoritetit kompetent.
Në vendimmarrje do të merret në konsideratë edhe vlerësimi shkencor i riskut nga Komisioni i Përhershëm për Vlerësimin e Riskut.
Për produktet që janë autorizuar në BE dhe figurojnë në listat përkatëse, projektligji parashikon njohjen e autorizimit evropian përmes një procedure të thjeshtuar verifikimi.
Kjo do të thotë se një produkt i autorizuar në nivel evropian nuk do të ketë nevojë për një autorizim të dytë shqiptar, por do të duhet të përmbushë kushtet e autorizimit dhe të kalojë verifikimin përkatës.
Çfarë po ndodh në Bashkimin Evropian?
Ndërsa Shqipëria po përcakton kuadrin e autorizimit, prodhimet ushqimore nga qelizat shtazore mbeten një fushë ende në zhvillim në Bashkimin Evropian.
Sipas informacionit të publikuar nga Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), të përditësuar më 21 tetor 2026, BE-ja nuk kishte autorizuar ende asnjë produkt ushqimor të përftuar nga kultura qelizore me origjinë shtazore.
EFSA bën të ditur se aplikimi i parë për këtë kategori ishte paraqitur në shtator 2024 dhe lidhej me një produkt të përftuar nga qelizat e rosës për prodhimin e foie gras.
Ndërkohë, në tregun evropian ishin të autorizuara pesë ushqime të përftuara nga kultura qelizore me origjinë bimore.
Ky dallim është i rëndësishëm për mënyrën se si mund të zbatohet projektligji shqiptar. Derisa produktet e mishit të kultivuar të marrin autorizimet përkatëse evropiane, për prodhimin e tyre në Shqipëri do të kërkohet shqyrtim sipas procedurës kombëtare të parashikuar.
A është i njëjtë me ushqimin e modifikuar gjenetikisht?
Mishi i kultivuar nga qelizat shtazore nuk është domosdoshmërisht ushqim i modifikuar gjenetikisht.
Teknologjia e kultivimit të qelizave dhe modifikimi gjenetik janë procese të ndryshme, megjithëse në raste të caktuara mund të përdoren së bashku.
Projektligji i trajton ushqimet e përftuara nga kultura qelizore brenda kategorisë së ushqimeve të reja, ndërsa produktet që përmbajnë ose prodhohen nga organizma të modifikuar gjenetikisht trajtohen edhe sipas kërkesave të legjislacionit përkatës.
Ligji aktual shqiptar parashikon tashmë kategori të gjera të ushqimeve të reja dhe autorizimin e tyre. Risia e projektligjit është përfshirja e shprehur e produkteve nga kulturat qelizore, së bashku me rregulla më të detajuara për autorizimin kombëtar dhe njohjen e autorizimeve evropiane.
Për vendosjen në treg të produkteve në kundërshtim me kërkesat e autorizimit, projektligji parashikon gjoba nga 200 mijë deri në 300 mijë lekë.
Dispozitat për ushqimet e reja dhe autorizimet do të fillojnë efektet më 1 gusht 2028./Ekofin


