Mbi 30 mijë qytetarë në shesh, Franca përshkallëzon protestat

Pas trazirave të ditëve të fundit në Francë, vendi pritet të përballet sot me një tjetër ditë të madhe protestash studentore.
Mobilizimi është prezantuar si “Akti III” i protestave të nisura javën e kaluar. Lëvizja studentore ka marrë mbështetjen e disa sindikatave, veçanërisht të një aleance sindikale në sektorin e arsimit, ku bëjnë pjesë FSU, CGT, FO, CFDT, Unsa, Sud dhe Solidaires.
Sindikatat u kanë bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestave, ndërsa demonstrata kryesore në Paris pritet të nisë rreth orës 14:00.
Policia franceze vlerëson se rreth 30 mijë persona mund të marrin pjesë në marshimin në kryeqytet.
Protesta janë parashikuar edhe në një numër të madh qytetesh të tjera franceze, mes tyre Tours, Rennes, Brest, Nancy, Marseille, Montpellier, Toulouse, Besançon, Perpignan dhe Lille.
Në prag të demonstratave, kryeministri francez Sebastien Lecornu u bëri thirrje protestuesve që mobilizimi të zhvillohet në mënyrë paqësore.


