Mashtrimet me Call Center, pas Greta Gjocit, GJKKO pezullon dënimin edhe për Antoneta Malon (Arsyeja)

Pas Greta Gjocit një ditë më parë, GJKKO pranon që një tjetër grua e dënuar për dosjen e call centerave, si pjesë e grupit të Bruno Çobos, të lirohet nga qelia. Antoneta Malos iu pranua kërkesa e depozituar nga avokati i saj, Sokol Tahiraj, për pezullimin me gjashtë muaj të ekzekutimit të dënimit, pasi është nënë e dy fëmijëve të mitur, 3 vjeç dhe 1 vit e 3 muaj.
Greta Gjoci u dënua me 6 vite e 8 muaj burg për mashtrim kompjuterik dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, në kuadër të dosjes së call centerave të lidhur me Bruno Çobon. GJKKO pranoi kërkesën e saj për pezullimin e ekzekutimit të dënimit për një vit, pasi është nënë e një foshnjeje 4-muajshe.
Edhe Antoneta Malo është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg, pasi u shpall fajtore për mashtrim kompjuterik në bashkëpunim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Vendimi u la në fuqi nga Apeli i GJKKO-së më 5 tetor 2026.
Në kërkesën e paraqitur në gjykatë, mbrojtja argumentoi se ekzekutimi i menjëhershëm i dënimit do të sillte pasoja të rënda për dy fëmijët e saj, veçanërisht për djalin 1 vjeç e 3 muaj, i cili ka lindur para kohe dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm nga e ëma.
Kërkesa u mbështet në nenin 476 të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon shtyrjen e ekzekutimit të dënimit kur ai mund të sjellë pasoja të rënda për të dënuarin ose familjen e tij.
Me këtë vendim, Antoneta Malo përfiton shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për gjashtë muaj, për shkak të rrethanave familjare dhe shëndetësore të paraqitura nga mbrojtja.


