Luajti futboll gjatë raportit mjekësor dhe pushohet nga puna, dëmshpërblehet me 72 mijë euro

Bota

Luajti futboll gjatë raportit mjekësor dhe pushohet nga puna,

Një 50-vjeçar në provincën e Bergamos u pushua nga puna pasi u filmua duke luajtur futboll në fusha të vogla gjatë periudhës kur ishte me raport mjekësor, por gjykata vendosi në favor të tij. Punonjësi, i diagnostikuar me sklerozë multiple dhe probleme ankthi, do të përfitojë një dëmshpërblim prej 72 mijë eurosh, që korrespondon me 12 paga mujore nga 6 mijë euro bruto secila.

Çështja nisi pasi kompania metalurgjike ku ai punonte kishte angazhuar një hetues privat për të ndjekur lëvizjet e tij. Hetimet dokumentuan disa mbrëmje kur 50-vjeçari shkonte në një qendër sportive dhe luante futboll me pesë lojtarë. Në veçanti, u evidentuan ndeshje më 6, 13 dhe 20 shkurt 2024. Pas një pezullimi të mëparshëm dyditor pa pagesë, kompania e largoi nga puna më 14 mars 2024 për “shkak të drejtë”.

Punonjësi kishte nisur trajtimin për sklerozën multiple në spitalin Papa Giovanni XXIII dhe paralelisht, po merrte ndihmë psikologjike për problemet e ankthit. Sipas hetuesit, pas një prej ndeshjeve ai kishte qëndruar edhe për të pirë diçka me shokët e skuadrës në një birrari. Megjithatë, gjykata vlerësoi se fakti që një person kryen aktivitet fizik gjatë lejes mjekësore nuk është në vetvete i mjaftueshëm për të justifikuar pushimin nga puna.

Pika vendimtare ishte nëse futbolli ishte në kundërshtim me sëmundjen ose mund të dëmtonte dhe vononte rikuperimin. Eksperti i caktuar nga gjykata arriti në përfundimin se aktiviteti sportiv nuk ishte i papajtueshëm me gjendjen shëndetësore të 50-vjeçarit dhe nuk rrezikonte të zgjaste periudhën e shërimit.

Përkundrazi, sipas vlerësimit mjekësor, aktiviteti fizik dhe ruajtja e marrëdhënieve shoqërore mund të ndihmonin mirëqenien e tij, veçanërisht në një situatë ku ai po përballej edhe me “simptomatologji ankthi reaktive ndaj situatave komplekse”.

ME TE LEXUARAT