Linda Kalemi rrëfen divorcin nga bashkëshorti: Të ndahesh me një person që e do dhe të do, kjo është tragjedi e madhe

Trajnerja Linda Kalemi ka rrëfyer arsyet që e çuan drejt ndarjes nga bashkëshorti, me të cilin kishte ndërtuar një jetë mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Ajo tregoi se shkaku kryesor ishte mungesa e përgjegjësisë familjare, ndërsa pranon se ndarja nga një njeri që e donte dhe që e donte, ishte një përjetim i dhimbshëm për të dy.
Linda Kalemi ka ndarë detaje nga marrëdhënia me bashkëshortin, duke treguar se historia e tyre nisi në moshë të re.
Ajo ishte 20 vjeçe dhe ai 21 kur u fejuan dhe u martuan, ndërsa shtatzënia erdhi në të njëjtën periudhë. Sipas artistes, mungesa e përvojës në atë kohë ndikoi në rrugëtimin e tyre si çift.
Pas një periudhe të shkurtër në Shqipëri, çifti u zhvendos në Turqi, ku jetoi për rreth 30 vite. Megjithatë, me kalimin e kohës, problemet në marrëdhënie u shtuan, deri në vendimin për t’u ndarë.
“Unë jam një herë divorcuar, nja dy herë pa divorc, por jam ndarë dhe pajtuar me të njëjtin bashkëshort. Ne nuk kemi pasur një znanfillë, mendo një sportist të famshëm dhe një artiste si unë. Martohemi, unë isha 20 vjeçe dhe ai 21 vjeç. Fejesa dhe martesa, e më pas shtatzënia në të njëjtën kohë. Mendo që pa eksperienca. Ne jetuam pak kohë në Shqipëri. Pastaj shkuam në Turqi, ku jetuam për 30 vite. Ajo që më lodhi, më bëri ta ndaja, ishte papërgjegjshmëria. Shumë e vështirë, të të rrahë zemra për atë njeri dhe të marrësh ta nxjerrësh përjashta. Mungesa e përgjegjësisë është kryesorja. Mendo tani pse edhe vonë, çuni është paqejf… Pra, atë që është baballëku, nuk po e bënte.
Të vish në orën 9 të darkës nga provat dhe të të presin dy djem dhe një burrë në shtëpi, edhe darkën, ushqimin, pastrimin dhe të shkosh në mëngjes në palestër sërish, është e pamundur pa një ndihmë, e sidomos në një vend të huaj. Ore, ç’është kjo që ti s’po merr përsipër, “ti s’më lë rehat”, janë ato ankesat. Është edhe jo krenaria, por unë mendoj që njeriu duhet të ketë dhe dinjitet. Një herë, dy herë, tre herë, po prit një herë, kur thua s’po më lë rehat, unë kam stërvitje, atëherë merr leckat dhe nisu.
Është gjuha e popullit. Përse duhet të të mbaj edhe ty kur ti nuk e bën detyrën e babait? Këto janë momentet. Nuk ka një krisje të menjëhershme. Vazhdimisht grindje dhe debate. Në fund, ti them: “E di ç’ke, merri rrobat dhe ik.” Ishte moment që duhej bërë, pavarësisht mënyrës se si u bë. Eksperienca të prek. Sot them, të kisha këto mend, të mbaja 10 si ai, sepse më donte shumë. Të ndahesh me një person që e do dhe të do, kjo është tragjedi e madhe. Edhe ai e vuante, e vuanim të dyja palët. E kam dashur gjithmonë”, tha Linda Kalemi./TopChannel


