Kursi i këmbimit po i orienton shqiptarët drejt lekut, çfarë po ndodh me depozitat në banka?

Forcimi i vazhdueshëm i lekut kundrejt euros po ndryshon gradualisht edhe mënyrën se si shqiptarët zgjedhin të ruajnë kursimet e tyre. Monedha vendase po fiton terren në sistemin bankar, ndërsa depozitat në valutë, megjithëse vazhdojnë të rriten, po humbasin ritëm përballë atyre në lekë.
Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat e sektorit privat u rritën me 11.6% gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, duke ruajtur ritmet e larta të muajve të mëparshëm. Megjithatë, pas kësaj rritjeje të përgjithshme fshihet një ndryshim i rëndësishëm në preferencat për monedhën e kursimit.
Depozitat në lekë u zgjeruan me 14.1%, nga 13.3% në tremujorin e dytë, ndërsa ato në valutë e ngadalësuan rritjen nga 9.7% në 9.2%. Diferenca tregon se kursimet në monedhën kombëtare po shtohen dukshëm më shpejt sesa ato në monedha të huaja.
Një ndër faktorët që mund të ndikojë në këtë orientim është ecuria e kursit të këmbimit. Leku është forcuar ndjeshëm kundrejt euros, duke ulur vlerën në monedhën vendase të kursimeve që mbahen në valutën europiane.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i euros zbriti nga 94.8 lekë në qershor në 91.9 lekë në shtator, ndërsa gjatë tetorit arriti në 91.4 lekë. Kjo do të thotë se 10 mijë euro, të cilat në qershor këmbeheshin mesatarisht me 948 mijë lekë, në shtator vlenin rreth 919 mijë lekë, ose 29 mijë lekë më pak, pa përfshirë komisionet e këmbimit.
Pikërisht këtu qëndron një nga arsyet ekonomike që mund ta bëjë lekun më tërheqës. Për individët që i sigurojnë dhe i shpenzojnë të ardhurat kryesisht në monedhën vendase, mbajtja e kursimeve në euro krijon ekspozim ndaj luhatjeve të kursit. Nëse leku vazhdon të forcohet, vlera e këtyre kursimeve, e shprehur në lekë, zvogëlohet më tej.
Megjithatë, rritja më e shpejtë e depozitave në lekë nuk do të thotë domosdoshmërisht se qytetarët po i konvertojnë masivisht kursimet nga euro në lekë. Banka e Shqipërisë e lidh këtë zhvillim edhe me zgjerimin e kreditimit në monedhën vendase dhe injektimin e likuiditetit në ekonomi. Për më tepër, statistikat e rritjes së depozitave janë të korrigjuara për efektet e kursit të këmbimit.
Një tjetër element i rëndësishëm është sjellja e bizneseve. Depozitat e tyre u rritën me 18.4% në terma vjetorë, pothuajse dyfishin e ritmit prej 9.8% të regjistruar nga individët. Kjo tregon se një pjesë e konsiderueshme e zgjerimit të kursimeve bankare po vjen nga likuiditeti i bizneseve dhe jo vetëm nga kursimet e familjeve.
Por ndërsa depozitat rriten, përfitimi që marrin qytetarët nga mbajtja e parave në banka mbetet modest. Interesi mesatar i depozitave me afat në lekë është 1.7%, ndërsa për ato në euro ka arritur në 1.5%. Diferenca është e vogël dhe nuk mjafton, e vetme, për të kompensuar luhatje të konsiderueshme të kursit të këmbimit.
Në të njëjtën kohë, inflacioni mesatar gjatë tremujorit të tretë arriti në 3.2%, dukshëm mbi normat e interesit të depozitave. Kjo nënkupton se, pavarësisht interesit të përfituar, fuqia reale blerëse e kursimeve në lekë mund të vazhdojë të tkurret.
Interesant është edhe fakti se 57% e depozitave bankare mbahen pa afat, ndërsa vetëm 43% janë të vendosura në depozita me maturim të përcaktuar. Kjo strukturë tregon se qytetarët dhe bizneset parapëlqejnë disponueshmërinë e menjëhershme të parave, në vend të angazhimit të tyre për periudha më të gjata.
Në tërësi, zhvillimet tregojnë një forcim të rolit të lekut në sistemin financiar shqiptar, si në kreditim, ashtu edhe në kursime. Por orientimi drejt monedhës vendase nuk është pa rreziqe. Një ndryshim i kahut të kursit të këmbimit mund ta bëjë sërish euron më të favorshme për ata që i kanë ruajtur kursimet në këtë monedhë.
Ajo që po ndryshon është pesha e kursit të këmbimit në vendimet financiare të shqiptarëve. Në një ekonomi ku euro ka qenë tradicionalisht një nga monedhat kryesore të kursimit, forcimi i lekut po krijon një realitet të ri: monedha vendase po bëhet më tërheqëse, por pa garantuar domosdoshmërisht fitime më të larta për depozituesit. /skyweb.al


