“Kur Zoti vendos të bëjë një mrekulli”, u pla'gos gjatë protestës, Erjon Vishkulli publikon foton pas operacionit

Erjon Vishkulli ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve të tij në rrjetet sociale, përmes një reagimi të ndarë drejtpërdrejt nga shtrati i spitalit. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, ai ka publikuar një fotografi ku shfaqet gjatë procesit të rikuperimit.
Krahas imazhit, Vishkulli ka përcjellë një mesazh të fortë besimi, optimizmi dhe shprese për të gjithë ata që e ndjekin. Ai ka zgjedhur të ndajë shprehjen se kur Zoti vendos të bëjë një mrekulli, asgjë nuk është e pamundur, duke reflektuar forcë përballë sfidës shëndetësore që ka kaluar.
Postimi ka marrë menjëherë vëmendjen e mbështetësve dhe miqve të tij, të cilët i kanë uruar shërim të shpejtë dhe kthim sa më parë në jetën e përditshme.
Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore për të zbardhur rrethanat e plagosjes së protestuesit Erjon Vishkulli, i cili u godit me plumb gome në sy gjatë protestave në kryeqytet. Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën pranë Bankës së Shqipërisë, ku ndodhi incidenti, me qëllim identifikimin e rrethanave të plagosjes dhe të personit që mund të ketë qëlluar.
Gjithashtu, është kryer këqyrja e vendngjarjes dhe janë sekuestruar gëzhoja të municioneve me plumba gome, të cilat pritet të shërbejnë si prova materiale në hetim. Ndërkohë, hetuesit po kryejnë këqyrjen e armatimit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), për të verifikuar armët dhe municionet e përdorura gjatë ndërhyrjes policore.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria ka sekuestruar edhe kartelën mjekësore të protestuesit në Spitalin e Traumës në Tiranë. Paralelisht, është nisur një letërporosi drejt autoriteteve italiane për sigurimin e dokumentacionit mjekësor të Vishkullit, i cili po merr trajtim në Itali.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu që, në momentin kur plumbi i gomës të hiqet nga syri i të plagosurit, ai të vihet në dispozicion të hetuesve si provë materiale. Veprimet hetimore synojnë të përcaktojnë mënyrën se si është plagosur protestuesi, armën nga e cila është qëlluar dhe përgjegjësinë e mundshme të efektivëve të përfshirë në ndërhyrjen policore.


