Transferimi i Veliajt në burgun e Fierit, Balla: Ankesat e tij do të verifikohen nga institucionet

Taulant Balla foli për mediat pas seancës plenare, ku u pyet për transferimin e Erion Veliajt dhe ankesat e këtij të fundit lidhur me trajtimin në burg.
Balla deklaroi se ankesat për trajtimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve duhet të verifikohen nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe Avokatin e Popullit. Ai theksoi se çështjen ia ka përcjellë ministrit, ndërsa shtoi se respektimi i të drejtave të personave në burg është i rëndësishëm edhe në kuadër të procesit të integrimit europian.
“Çështjet që lidhen me respektimin e të drejtave dhe trajtimin e të paraburgosurve apo të burgosurve duhet të verifikohen dhe të trajtohen me seriozitet”, u shpreh Balla.
Taulant Balla: Çdo deputet kërkohet prej meje që të çohet e të ngrejë probleme, shqetësime që lidhen me tematika të caktuara. Janë tematika që diskutohen në mbledhje të mbyllura të grupit parlamentar dhe nuk janë për t'u ndarë me publikun. Tashi, pyetjen tënde po e vazhdoj unë se e kuptova ku e ke. Unë kam marrë për trajtimin njerëzor që është detyrim për çdo të dënuar. Unë përgjigjen e institucioneve të zyrës, nuk kam nevojë për përkthyes, e kuptova. Dhe ju e dini se sa ju vlerësoj të dyve si gazetarë.
E para është që lidhur me këtë çështje, jo për shokun tim Erion Veliajn, dhe për këdo tjetër, unë e kam thënë edhe për persona të tjerë, kushdo që më ka dërguar si deputet, në kuadër të ligjit për statusin e deputetit një ankesë lidhur me një çështje të trajtimit, dhe nuk e fsheh, për shembull dhe nga ish-presidenti Ilir Meta, në rrugë të komunikimit, kam marrë çështje, ankesa që lidhen me trajtimin. Dhe padyshim që ia kam kaluar Ministrit të Drejtësisë sepse rasti në fjalë nuk lidhet me ministrin Gogu.
Dhe kam besim që edhe çështja në fjalë do të verifikohet, si çdo çështje tjetër që verifikohet jo vetëm nga Avokati i Popullit, si institucion i parë i referimit, nga Ministri i Drejtësisë, Drejtori i Përgjithshëm. Madje sot në grupin parlamentar, i kam kërkuar dhe komisionit që ne kemi për mbikëqyrjen, në një program pune që ka ky komision, besoj jeni informuar që dje kanë qenë në një prej institucioneve të paraburgimit, siç është rasti i 313-ës. Dhe duhet që çështjet që lidhen me respektimin e të drejtave, që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve apo të burgosurve, të trajtohen në kuadër edhe të procesit që Shqipëria është drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke garantuar respektimin e të gjitha kushteve dhe të drejtave.


