Krimi në familje, dënohet me 25 vite burg 47-vjeçarja që vrau të atin pas konflikteve të vazhdueshme

Aktualitet

Krimi në familje, dënohet me 25 vite burg 47-vjeçarja që
Një 47-vjeçare është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Assizes në Mantova të Italisë, pasi u shpall fajtore për vrasjen e babait të saj 79-vjeçar, Francesco Capuano.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 dhjetor të vitit 2024, në Suzzara, në provincën e Mantovës. Gruaja qëlloi për vdekje të atin me armë zjarri brenda makinës së parkuar në garazhin e pallatit ku jetonin së bashku, në rrugën Biolcheria.

Gjatë seancës gjyqësore, Rosa Capuano pranoi autorësinë e krimit, duke ndryshuar tërësisht dëshminë e saj të mëparshme, pasi deri atëherë kishte mohuar vazhdimisht përfshirjen në vrasje.

“Kam qenë unë. Nuk duroja më. Mora armën dhe e vrava”, deklaroi 47-vjeçarja përpara trupit gjykues.

Rrëfimi i saj shënoi një kthesë të rëndësishme në procesin gjyqësor. Më 9 tetor, gjatë marrjes në pyetje, Rosa Capuano kishte deklaruar se ishte e pafajshme dhe se nuk e kishte vrarë të atin. Megjithatë, në seancën e fundit ajo pranoi se kishte marrë armën dhe kishte qëlluar mbi të atin, me qëllimin për t’u shkëputur nga figura e tij dominuese.

Sipas mediave lokale, 47-vjeçarja jetonte pothuajse tërësisht nën hijen e të atit, nga i cili varej ekonomikisht dhe të cilit, sipas rrëfimeve të saj, duhej t’i jepte llogari për veprimet e përditshme. Ajo kishte shprehur dëshirën për të fituar më shumë pavarësi, por nuk kishte arritur ta realizonte këtë shkëputje.

Prokurorja Alessia Silimbani kishte kërkuar dënimin me 25 vite burg, duke përjashtuar burgimin e përjetshëm për shkak të pranimit të krimit dhe duke kërkuar njohjen e rrethanave lehtësuese në raport me ato rënduese.

Gjykata vendosi dënimin me 25 vite burg. Ajo përjashtoi motivet e ulëta dhe të parëndësishme si rrethanë rënduese, por njohu paramendimin dhe faktin se krimi ishte kryer ndaj një paraardhësi, në këtë rast babait të saj. Rrethanat lehtësuese u konsideruan të barasvlershme me rrethanat e tjera rënduese.

Gjithashtu, gjykata vendosi një dëmshpërblim paraprak prej 150 mijë eurosh për tre vëllezërit dhe motrën e të pandehurës, të cilët janë familjarët e viktimës. Secilit prej tyre iu njohën 50 mijë euro.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion