“Krenaria e një luftëtari për liri” - Thaçi rikthen MESAZHIN e arrestimit absurd pak orë para gjyqit të Hagës

Kosovë&Rajon

“Krenaria e një luftëtari për liri” - Thaçi

”Jam krenar që kam qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i saj. Ka qenë nderi më i madh në jetën time që ta barti uniformën e UÇK-së dhe të jem Drejtor Politik i saj. Ajo uniformë dhe shërbimi në luftën tonë çlirimtare nuk është hendikep, por nder, përparësi dhe krenari në çdo përballje me këdo”. Mesazhi i Hashim Thaçit vjen pak orë para procesit gjyqësor së ditës së nesërme.   

Ish-Presidenti Hashim Thaçi ka ripostuar nga qelia e burgut mesazhin e publikuar në shkurt 2020, kur iu komunikua akuza absurde dhe u arrestua po atë vit disa muaj më vonë, për t’u gjykuar në Hagë. Hashim Thaçi, i dënuar politik sipas edhe shumë ekspertëve ndërkombëtarë të së drejtës, qëndron prej gjashtë vitesh i izoluar në Hagë.

Aktgjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë në rastin e administrimit të drejtësisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, pritet të shpallet të martën, më 17 nëntor, nga ora 10:00. Vendimi cilidoqoftë ai nuk do të jetë vendimtar pasi do të apelohet.

Përveç Thaçit, në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. 

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, të pandehurit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendimet për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte. 

Prokuroria pretendon se, nga 12 prilli deri më 2 nëntor 2023, Thaçi u kishte përcjellë të akuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre. Për këtë rast, Prokuroria ka kërkuar dënimin e Thaçit me gjashtë vjet burgim, duke kërkuar që koha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në dënimin e mundshëm.

Sakaq, më 16 shtator 2026, në një gjyq të veçantë, e njëjta gjykatë e dënoi Thaçin me 25 vjet burg në mesin e shtatorit, duke e shpallur fajtor për krime lufte në Kosovë dhe Shqipëri në vitet 1998-99.

E ndërsa nga njëra anë vazhdon gjyqi absurd ndaj udhëheqësve të luftës për liri, shumë nga përgjegjësit e krimeve të rënda ndaj popullatës civile e të pambrojtur nuk u hetuan kurrë, ndonëse humbën jetën dhe u zhdukën mbi 13 mijë civilë shqiptarë, shumica gra e fëmijë. 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion