Zyra e BE-së jep detaje për takimin Kurti-Vuçiç të martën në Bruksel

Kosovë&Rajon

Zyra e BE-së jep detaje për takimin Kurti-Vuçiç të

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur detaje për takimin mes Kosovës e Serbisë, i cili pritet të mbahet të martën më 15 qershor në Bruksel. Në këtë takim për herë të parë për çështjen e dialogut do të marrin pjesë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Përmes një komunikate për medie zyra e BE-së, njofton se takimi do të jetë i nivelit të lartë, që siç edhe dihet do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE Miroslav Lajçak.

“Do të ketë një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë në fillim të takimit në 8:20 dhe një deklaratë për media nga Përfaqësuesi Special i BE pas përfundimit të takimit (rreth orës 13:00)”, thuhet në këtë komunikatë.


Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje. Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë.

Bashkimi Evropian synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në të cilën do të zgjidheshin të gjitha çështjet mes dy vendeve. Pas një pezullimi gati 2 vjeçar, bisedimet ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2020 patën rifilluar, por ato sërish u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt. 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion