Kundër Vjosa Osmanit si presidente, Haradinaj: Kosova ka hyrë në monizëm

Një ditë pasi Kuvendi i Kosovës zgjodhi Vjosa Osmanin si presidente, ka ardhur reagimi i kryetarit të AAK, Ramush Haradinaj. Ai tha se me këtë vendim, Kosova ka hyrë në monizëm.
Në një deklaratë për mediat, Haradinaj tha se vendin nuk e presin ditë të mira ashtu siç ata kishin premtuar.
“Dje u vërtetua që fituesit e rinj të zgjedhjeve kanë mungesë guximi që të veprojnë si e parasheh demokracia. Po ashtu, u treguan të zot dhe treguan se kanë prirje për kontrabandim të votës. Ajo që ka ndodhur nuk është në nderin e Kosovës dhe demokracisë tonë. Pra, u zgjodh presidentja me kontrabandim të votash, me deputetë që për përfitime të aty për atyshme tjetërsuan vullnetin e votuesve të tyre.
E gjithë kjo është një tregues që për Kosovën nuk priten ato ditë të mira që i kanë premtuar, sepse kemi të bëjmë me një mashtrim dhe me një sistem që është i një partie. President, kryeministër, kryeparlamentar, kryetar partie është një njeri, është Albin Kurti, në një mënyrë ne po kthehemi në monizëm”, tha ai.


