Princ Harry: Nëse ka nevojë të luftoj Rusinë, jam 100% gati të kthehem në ushtri, t'i shërbej vendit tim!

Bota

Princ Harry: Nëse ka nevojë të luftoj Rusinë, jam 100% gati

Princi Harry ka deklaruar se është i gatshëm të veshë sërish uniformën ushtarake britanike për të luftuar kundër Rusisë, nëse do të thirret për shërbim. Deklaratën e bëri gjatë një vizite të paparalajmëruar në Lviv të Ukrainës.

Duka i Sussex-it theksoi gjithashtu se përplasja mes Londrës dhe Moskës nuk është një skenar i së ardhmes, por një realitet që po zhvillohet prej rreth dhjetë vitesh.

Princi Harry foli ekskluzivisht për podcastin “Ukraine: The Latest” të gazetës britanike The Telegraph, gjatë vizitës së tij të paparalajmëruar në Lviv. Kjo ishte intervista e tij e parë e rëndësishme për një media britanike që prej rikthimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai kritikoi ashpër qasjen e Donald Trumpit ndaj luftës në Ukrainë, duke thënë se ajo nuk pasqyron qëndrimet e pjesës më të madhe të shoqërisë amerikane.

Duka la të kuptohet gjithashtu se Britania ndodhet në një gjendje përballjeje me Rusinë prej dhjetë vitesh, duke deklaruar:

“Fakti që nuk po fluturojnë dronë, plumba dhe raketa drejt nesh, nuk do të thotë se nuk jemi në luftë”.

Ai shtoi se beson që Evropa “është zgjuar përballë kërcënimit” rus, por shprehu shqetësimin se frika e tij më e madhe është që kontinenti të “kthehet kundër vetvetes”.

Duka deklaroi se do të ishte i gatshëm t'i rikthehej shërbimit ushtarak nëse do të ishte e nevojshme.

“Ka shumë gjëra që mund të mësojmë nga Ukraina. Mendoj se e gjithë bota ka shumë për të mësuar prej saj”, u shpreh ai.

“Nëse më kërkohet të rikthehem në ushtri, nëse lind nevoja, atëherë do të jem 100% i gatshëm t'i shërbej vendit tim, përkrah kolegëve të mi veteranë dhe personelit ushtarak”.

Angazhimi dhe shqetësimi në Evropë

Udhëheqësit e NATO-s po shprehin gjithnjë e më shumë shqetësim për mundësinë e një konflikti të drejtpërdrejtë. Drejtuesit e shërbimeve sekrete deklaruan në shtator se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një sulm brenda “muajsh, jo vitesh”.

Qeveria britanike u ka rekomanduar familjeve që të krijojnë rezerva me ushqime të konservuara dhe ujë, në mënyrë që të jenë të përgatitura për një situatë emergjente.

Ushtria britanike disponon një rezervë strategjike prej 95.000 ish-ushtarakësh profesionistë dhe rezervistësh, të cilët mund të thirren sërish në shërbim në rast krize.

Një pjesë e tyre do të mobilizohet vitin e ardhshëm për një stërvitje të madhe të Ministrisë së Mbrojtjes, me qëllim testimin e qëndrueshmërisë së vendit në kushte lufte.

I pyetur nëse është i shqetësuar për situatën aktuale gjeopolitike, Duka u përgjigj:

“Mendoj se të gjithë duhet të jemi të shqetësuar, absolutisht. Dhe mendoj se duhet të jemi të përgatitur. Ata prej nesh që kanë shërbyer në ushtri duhet të jenë të gatshëm të shërbejnë përsëri”.

Dhjetë vite shërbim ushtarak dhe dy misione në Afganistan

Duka kaloi dhjetë vite në ushtri dhe përfundoi dy misione në Afganistan si pilot i helikopterëve Apache, përpara se të përfundonte karrierën ushtarake në vitin 2015.

Fundjavën e kaluar, ai zhvilloi vizitën e tij të katërt në Ukrainë që prej fillimit të konfliktit aktual, e treta brenda pak më shumë se 18 muajsh. Gjatë qëndrimit të tij, ndoqi garat kualifikuese të ekipit ukrainas për Lojërat Invictus 2027, të cilat do të zhvillohen në Birmingham.

Princi Harry pritet të jetë një nga figurat qendrore të këtij organizimi, ndoshta edhe në krah të babait të tij, Mbretit Charles, i cili e kishte shoqëruar djalin e tij më të vogël në ceremoninë e hapjes së Lojërave në Londër, në vitin 2014.

Kthimi i Dukës dhe Dukeshës së Sussex-it nga Kalifornia në gusht e kishte shtyrë presidentin amerikan Donald Trump të deklaronte se ishte “i lumtur” që çifti ishte larguar nga vendi, ndërsa kishte kritikuar edhe qëndrimin e tyre ndaj familjes mbretërore.

Edhe pse Duka nuk e përmendi drejtpërdrejt Trumpin, ai kritikoi në mënyrë të tërthortë qasjen e presidentit amerikan ndaj konfliktit.

“Mendoj se ekziston një hendek i madh mes asaj që ndien shoqëria amerikane lidhur me mbështetjen për Ukrainën, e cila, sipas mendimit tim, ka qenë jashtëzakonisht e lartë dhe ka qenë e tillë gjithmonë, dhe qëndrimit të një grupi të caktuar njerëzish apo, në këtë rast, të një administrate që mund ta shohë situatën ndryshe”.

Duke komentuar zgjedhjet afatmesme të nëntorit dhe fitoren e pritshme të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, ai shtoi:

“Që nga janari gjërat do të ndryshojnë, ndaj mendoj se të gjithë duhet ta presim me optimizëm këtë zhvillim”.

“Evropa është e bashkuar dhe do të ishte fantastike nëse do të kishte më shumë mbështetje edhe nga Shtetet e Bashkuara”.

Duka ka krijuar marrëdhënie të mira profesionale me Volodymyr Zelenskyn dhe ekipin e tij, megjithëse gjatë kësaj vizite nuk u takua me presidentin ukrainas.

Ai tha se, bazuar në katër vizitat e tij në Ukrainë dhe informimet e rregullta që merr nga përfaqësues politikë dhe ushtarakë në terren, beson se Ukraina po e fiton luftën.

Megjithatë, ai shtoi: “Duhet të ekzistojë një formë strategjie dalëse për Rusinë”.

Princi Harry paralajmëroi gjithashtu se është e rëndësishme të mos ketë vetëkënaqësi dhe nënvlerësim të situatës, duke këmbëngulur se tani është momenti për të “dyfishuar mbështetjen” dhe jo për t'u tërhequr.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion