Kosova refuzon vaksinën kineze, nuk pranon që mësuesit të marrin Sinovax në Shqipëri

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, deklaron se procesi i vaksinimit të mësuesve kosovarë në Shqipëri është shtyrë, pasi nuk ka më sasi të vaksinave “AstraZeneca” dhe ”Pfizer” atje.
Gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Vitia tha se ministrja Manastirliu i ka premtuar se sapo të vijnë doza të tjera të këtyre dy llojeve të vaksinave, atëherë një sasi e caktuar do t’i ruhet Kosovës për vaksinimin e mësimdhënësve.
“Dozat e vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu.
Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me Sinovax, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruar në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen.
Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, ka thënë Vitia.


