“Krimi i organizuar ka zbarkuar në komuna”, Kurti gjen shkakun e dështimit në zgjedhjet lokale

Kosovë&Rajon

“Krimi i organizuar ka zbarkuar në komuna”, Kurti gjen shkakun

Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar punët e Qeverisë, të cilat ai i quan të mëdha, përpara anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku është edhe kryetar.

Në mbledhjen e sotme të partisë, Kurti tha se me qeverinë e tij, “imazhi i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, asnjëherë nuk është ngritur sikurse sivjet”, ndërsa te çështjet ‘e papërmirësueshme’, Kurti ka theksuar krimin e organizuar, që sipas tij, “ka zbarkuar në nivel lokal”, duke folur për dështimin në zgjedhjet lokale, ku LVV-ja arriti të fitonte në vetëm 4 komuna, shkruan Gazeta Express.

“Në vitin që vjen, do të punojmë në zhvillimin e ekonomisë që do të hapë vende të reja të punës, dhe në zhvillimin e drejtësisë që lufton krimin e korrupsionin dhe sjell sundimin e ligjit”, tha kryeministri.

Kreu i Qeverisë tha se partia të cilën e udhëheq është organizatë relativisht e vogël në rrafshin lokal, duke marrë shkas nga rezultati zhgënjyes nga zgjedhjet e fundit.

“Gjatë diskutimit tonë me siguri se do të mund t’i shqyrtojmë shumë gjëra që lidhen me mësimet e nxjerra nga zgjedhjet lokale, e ku natyrisht që do të kisha theksuar që në raport me mbështetjen elektorale të fillimvitit, organizata jonë ngelet relativisht e vogël, me struktura pak të shtrira në terren dhe me jo mjaftueshëm detyra të hollësishme të ndara për rrjetin e aktivistëve tanë”, tha Kurti.

Përveç organizimit të dobët, Kurti e gjeti edhe krimin e organizuar fajëtor që LVV-ja nuk arriti ta merrte rezultatin e synuar në zgjedhjet lokale. Sipas tij, krimi i organizuar ka zbarkuar në nivel lokal.

“Na duhet ndihma e të gjithëve për çkapjen përfundimtare të shtetit, sepse edhe zgjedhjet lokale kanë treguar që një pjesë e konsiderueshme e krimit të organizuar nga niveli qendror, ku s’kanë vend sikurse dikur, kanë zbarkuar në atë lokal, dhe duhet të pamundësohet kapja e komuniteteve nga fondet, mjetet, kapitali i zhvatur, i ekstraktuar në këto dy dekata, i cili fatkeqësisht edhe më tej vazhdon t’i ketë pronarët e njëjtë, pa iu kthyer shtetit”, tha ai.

Në detyrat e përshkruara përgjithësisht për aktivistët e partisë në fillim të mbledhjes, Kurti tha se në pjesën e parë të vitit duhet të fokusohen në zgjedhjet e brendshme, ndërsa theksoi “organizimin e mërgatës”, si detyrën më kryesore partiake për pjesën e dytë të vitit 2022.

“Pjesa e parë e vitit që vjen, fokusin tonë duhet ta kemi në zgjedhjet e brendshme dhe dy rregullore shtesë që na nevojiten. Zgjedhjet e brendshme të përgjithshme të bëhen aktiviteti kryesor i vitit 2022… Pjesa e dytë e vitit, nevojitet organizim më i mirë i mërgatës, me rregullore të posaçme për ta”, tha ndër tjerash, kryetari i LVV-së.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion