Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon dh*nën ndaj punonjësve të medies: Të hetohen përgjegjësit!

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, duke kërkuar hetimin dhe zbardhjen e përgjegjësive për lëndimin e tyre.
Me anë të një reagimi publik, UGSH shprehet se gjatë përplasjeve mes policisë dhe protestuesve janë lënduar qytetarë, dhe punonjës të medias.
Sipas Unionit, mes të lënduarve janë gazetari Elkier Bushkolaj dhe operatori Ardian Muka. UGSH kërkon nga Policia e Shtetit hetimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve përgjegjës.
Unioni thekson se gazetarët dhe punonjësit e medias kanë qenë të identifikueshëm gjatë gjithë protestës, përmes shenjave dalluese, ndaj çdo pretendim për mosidentifikimin e tyre është i papranueshëm.
Në përfundim, UGSH u bën thirrje gazetarëve për solidaritet dhe kërkon reagim të shpejtë ligjor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe organet e prokurorisë.


