"Ethet" e garës në bashkinë e Tiranës, ja si e komenton Taulant Balla

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zbuluar se kandidati i socialistëve për Bashkinë e Tiranës do të shpallet zyrtarisht mes datave 20 dhe 25 mars 2027.
I ftuar në emisionin “Koha Jonë-Debat” të Nikoll Lesit, Balla deklaroi se PS ka nisur sondazhet dhe verifikimet për profilin e kandidatit, ndërsa përjashtoi zhvillimin e primareve në të gjitha bashkitë.
Gjatë bisedës, ai komentoi edhe emrat e përfolur për garën në kryeqytet, duke vlerësuar si kandidatura të mira Erion Braçen dhe Ogerta Manastirliun. Balla nuk përjashtoi as mundësinë e përzgjedhjes së një kandidati nga shoqëria civile, ndërsa konfirmoi se Rakip Suli do të rikandidojë në Kamëz.
Biseda mes Ballës dhe Nikoll Lesit:
Balla: Ja të them unë ty, që atë që të kanë thënë, nuk kanë për ta pasur kandidat!
Lesi: Ilir Alimehmetin?
Balla: As atë nuk kanë për ta pasur kandidat. Dje Presidenti i Republikës doli dhe ftoi partitë politike për konsultim.
Lesi: PD tha: “Nuk shkoj”.
Balla: Unë uroj që PD të marrë pjesë në zgjedhje.
Lesi: Do shkojë, edhe pse ty nuk të intereson.
Balla: Më intereson, sepse sot që flasim bashkë, PD është në ditën e saj më të zezë, më keq sesa ka qenë në vitin e saj më të zi. PS edhe në këto zgjedhje bën të njëjtin proces që ka bërë në këto 20 vitet e fundit. Ne kemi bërë një diskutim të gjatë në Kryesinë e partisë dhe kemi miratuar një plan se si do të përzgjedhim edhe përbërjen e këshillave bashkiakë. Këto ditë do ta bëjmë publike, për këdo që ka dëshirë të jetë me PS në Këshillin Bashkiak.
Lesi: Do shkoni, siç ka kërkuar Erion Braçe, me primare? Apo jo?
Balla: Po, Erioni ka sjellë disa propozime.
Lesi: Do shkojë sipas Erionit?
Balla: Ne kemi bërë një herë të vetme gjatë historisë sonë primare në PS, “një anëtar, një votë”, në vitin 2007. Eksperienca nuk ka qenë pozitive, sepse në atë kohë kishim 384 njësi dhe nuk na rezultoi që të ishte e mirë, por do të bëjmë një proces përzgjedhës. Ju përmendët Erionin, Ogertën, janë kandidatë shumë të mirë.
Lesi: Nga shoqëria civile do të ketë?
Balla: Partia Socialiste gjithmonë mbetet e hapur, sepse në fund të fundit, mos harro asnjëherë që kur Edi Rama u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, nuk ishte anëtar i PS-së. Edi Rama erdhi si ministër i Kulturës, por nuk ishte anëtar i PS-së.
Lesi: Pra, në këto zgjedhje ju do të shkoni drejt një kandidati për kryebashkiak të Tiranës nga shoqëria civile?
Balla: Ne do të bëjmë të gjithë procesin tonë përzgjedhës për 46 bashki. Në Kamëz është e sigurt që do të rikandidojë Rakip Suli.
Lesi: Vijmë në Tiranë.
Balla: PS është duke bërë sondazhet e veta, verifikimet për profilin e kandidaturës.
Lesi: Kur do ta shpallni kandidatin?
Balla: Zyrtarisht kandidati do të shpallet mes datave 20–25 mars 2027.
Lesi: Në Tiranë nuk do të ketë primare?
Balla: Nuk do të ketë primare për asnjë bashki.


