Kok'ainë me vlerë 30 mln paund dhe jetë luksoze, shqiptari dënohet me mbi 14 vite burg në Britani (EMRI)

Një 38-vjeçar shqiptar është dënuar me 14 vite e tre muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u shpall fajtor për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës.
Bëhet fjalë për Elvis Mulën, i cili, sipas autoriteteve britanike, drejtonte një grup kriminal që kishte organizuar futjen në vend të 374 kilogramëve kokainë, me një vlerë prej 29.9 milionë paundësh në tregun e paligjshëm.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), ngarkesa e drogës ishte hedhur në det nga një anije transporti në ngushticën e Doverit, më 10 nëntor 2024, ndërsa anëtarët e grupit ishin ngarkuar me detyrën për ta marrë atë.
Hetimet zbuluan se Mula kishte një rol drejtues në koordinimin e operacionit, në të cilin ishin përfshirë edhe tre shtetas të tjerë, Leonard Steadman, 66 vjeç, Wayne Bath, 47 vjeç dhe Cameron Weedon, 27 vjeç.
Autoritetet britanike kishin dokumentuar përgatitjet e grupit kriminal, përpara se të ndërhynin në bashkëpunim me forcat kufitare, duke sekuestruar sasinë e konsiderueshme të kokainës dhe arrestuar katër të dyshuarit në nëntor të vitit 2024.
Një vëmendje të veçantë në dosjen hetimore ka marrë edhe jeta luksoze e 38-vjeçarit shqiptar. Sipas NCA-së, Mula përdorte automjete të kushtueshme, mes të cilave një Lamborghini blu, një Bentley dhe një Audi Q7.
Në pamjet e publikuara nga autoritetet britanike, shqiptari shfaqet duke përqafuar bashkëpunëtorët e tij pranë automjetit luksoz Bentley, përpara zhvillimit të operacionit të trafikut të drogës.
Gjykata e Maidstone dha vendimin më 27 nëntor 2026, duke dënuar Elvis Mulën dhe Wayne Bath me nga 14 vite e tre muaj burg. Leonard Steadman u dënua me 13 vite e shtatë muaj heqje lirie, ndërsa Cameron Weedon mori një dënim prej katër vitesh burg, pasi pranoi akuzën për nxitje ose lehtësim të veprimtarisë kriminale.
Hetuesi i lartë i Agjencisë Kombëtare të Krimit, Jules Harriman, e cilësoi sekuestrimin e kokainës si një goditje të rëndësishme financiare ndaj organizatës kriminale, duke theksuar se ndërhyrja e autoriteteve pengoi shpërndarjen e drogës në tregun britanik.


