Karta të klonuara, miliona euro dhe lidhje me mafian shqiptare, investigimi italian vë në fokus Aleks Vishën dhe “Samy Dubai”

Kartat e klonuara, dhuratat virtuale me vlera marramendëse dhe agjencitë që veprojnë në prapaskenë. Media italiane Fanpage.it, në një investigim të realizuar në bashkëpunim me gazetarin dhe shkrimtarin Roberto Saviano, ngre shqetësimin për mënyrën se si TikTok LIVE mund të shfrytëzohet nga rrjete të krimit të organizuar për qarkullimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë dhe pastrimin e parave.
Në investigim përmendet edhe shqiptari Aleks Visha, i lidhur me donacione të konsiderueshme për influencerin italian Francesco Ciotola.
Një botë ku miliona euro kalojnë përmes dhuratave virtuale, përdoruesit shpenzojnë shuma të jashtëzakonshme gjatë LIVE-ve dhe pas garave mes influencerëve mund të fshihen mekanizma financiarë shumë më kompleksë.
Kjo është tabloja që paraqet investigimi italian “The Lion”, publikuar nga redaksia e Fanpage.it në emisionin “Confidential”, ku përfshihet edhe Roberto Saviano.
Sipas medias italiane, rrjetet kriminale po përshtatin mënyrat e tyre të veprimit me zhvillimet teknologjike, duke shfrytëzuar platformat sociale jo vetëm për komunikim, por edhe për aktivitete financiare, mashtrime dhe skema të dyshuara të pastrimit të parave.
Shqetësimi nuk lidhet vetëm me shumat e mëdha që qarkullojnë në këto LIVE , por edhe me origjinën e parave që përdoren për të blerë dhuratat virtuale dhe mënyrën se si ato mund të kthehen në të ardhura për krijuesit e përmbajtjes.
Prokurori i Napolit, Nicola Gratteri, paralajmëron se organizatat kriminale kanë mësuar të shfrytëzojnë rrjetet sociale për të zhvilluar aktivitetet e tyre të paligjshme dhe për të ricikluar kapitalet kriminale.
Edhe presidentja e Komisionit Parlamentar Antimafia në Itali, Chiara Colosimo, ka ngritur shqetësimin për rrezikun që paraqesin LIVE match-et, si në aspektin e pastrimit të parave, ashtu edhe në ekspozimin e të rinjve ndaj modeleve dhe personazheve të lidhur me botën e krimit.
Aleks Visha, shqiptari që përmendet në investigimin e Fanpage.it
Një prej emrave që del në materialet e publikuara nga media italiane është edhe Aleks Visha, TikToker shqiptar.
Sipas investigimit të Fanpage.it, Visha është përmendur si një prej personave që kanë mbështetur financiarisht, përmes dhuratave virtuale, influencerin italian Francesco Ciotola.
Media italiane e identifikon atë me nofkën mediatike “influenceri i drogës” dhe raporton gjithashtu për arrestimin e tij në Britaninë e Madhe.
Emri i shqiptarit merr vëmendje të veçantë në pjesën e dytë të investigimit, e paralajmëruar për 16 nëntor 2026, ku fokusi zhvendoset te mafia shqiptare, përdorimi i kartave të klonuara dhe roli i agjencive që veprojnë në prapaskenë të sistemit të LIVE match-eve.
Investigimi synon të hedhë dritë mbi mënyrën se si këto struktura mund të shfrytëzojnë mekanizmat e platformës për të lëvizur shuma të mëdha parash nën petkun e dhuratave dhe garave virtuale.
Si shndërrohen dhuratat virtuale në para reale?
Mekanizmi i TikTok LIVE funksionon përmes monedhave virtuale, të cilat përdoruesit i blejnë me para reale dhe më pas i përdorin për t'u dërguar dhurata krijuesve të përmbajtjes gjatë transmetimeve.
Këto dhurata konvertohen në shpërblime digjitale, të cilat krijuesit mund t'i tërheqin në para, në përputhje me rregullat dhe komisionet e platformës.
Sipas përllogaritjeve të publikuara nga Fanpage.it, një dhuratë e kategorisë “Luan”, që kushton 30 mijë monedha, mund t'i sjellë krijuesit rreth 350 euro. Ndërsa dhurata “TikTok Universe”, me vlerë 50 mijë monedha, mund të përkthehet në rreth 600 euro për përfituesin.
Një pjesë e vlerës mbahet nga platforma, ndërsa pjesa tjetër kalon në portofolin digjital të krijuesit, në formën e diamanteve që mund të konvertohen në para.
Por, sipas investigimit italian, problemi nis kur këto dhurata nuk janë më thjesht mbështetje e zakonshme nga ndjekësit.
Gazetarët e Fanpage.it përshkruajnë raste kur të njëjtët persona dërgojnë dhurata me vlera të mëdha gjatë një transmetimi, ndërsa në një LIVE tjetër ndodh e kundërta: krijuesit e përmbajtjes fillojnë t'ia kthejnë dhuratat njëri-tjetrit.
Kështu, përmes një serie shkëmbimesh virtuale, mund të qarkullojnë shuma të konsiderueshme brenda një kohe shumë të shkurtër, ndërsa gjithçka duket si një garë e zakonshme mes përdoruesve të TikTok.
60 milionë euro në vit nga LIVE match-et në Itali
Një prej shifrave më domethënëse të investigimit është vëllimi financiar i gjeneruar nga LIVE match-et.
Sipas përllogaritjeve të Fanpage.it, transmetimet e monitoruara kanë gjeneruar rreth 60 milionë euro në vit në Itali. Mbi 90 për qind e donacioneve, sipas medias italiane, vinin nga rajoni i Kampanias, ku qendra kryesore është Napoli.
Për të kuptuar nga afër funksionimin e këtij mekanizmi, gazetarët kanë monitoruar aktivitetin e influencerëve për më shumë se një vit. Ata janë përfshirë edhe vetë në sistem si kandidatë për krijues përmbajtjeje, duke ndjekur nga brenda mënyrën se si organizohen transmetimet dhe shkëmbimet e dhuratave.
Pas shifrave të mëdha të donacioneve, investigimi evidenton dyshime për biznese jo transparente, përdorimin e kartave të klonuara, mashtrime me karakter ndërkombëtar dhe mundësi të pastrimit të parave.
Kartat e klonuara janë karta bankare të kopjuara në mënyrë të paligjshme, përmes marrjes së të dhënave të një karte origjinale, pa dijeninë apo autorizimin e pronarit. Të dhënat e tyre mund të përdoren për të kryer pagesa dhe blerje online. Në kontekstin e investigimit, dyshimi është se karta të tilla mund të jenë përdorur për blerjen e monedhave virtuale në TikTok, të cilat më pas shndërrohen në dhurata me vlera të larta për influencerët. Këto të fundit mund të konvertohen në të ardhura për krijuesit e përmbajtjes, duke krijuar dyshime për përdorimin e platformës si kanal për qarkullimin e parave me origjinë të paligjshme.
Një tjetër problem i evidentuar është gjurmueshmëria e transaksioneve. Pas përfundimit të LIVE match-eve, transmetimet nuk mbeten domosdoshmërisht të disponueshme në profilet e krijuesve, çka e vështirëson rindërtimin e plotë të shumave të dërguara dhe të dhuratave të shkëmbyera.
“Ne jemi mbi shtetin, jemi më të fuqishëm se shteti”
Pas publikimit të pjesës së parë të investigimit, Fanpage.it ka ndjekur edhe reagimet e disa prej personazheve të përfshirë në këtë ekosistem të TikTok LIVE.
Sami Sejdaj i njohur si "Samy Duabi" në TikTok dhe Zio Samy, të cilin Fanpage.it e rendit mes donatorëve të rëndësishëm në platformë. Sipas medias italiane, ai kishte pesë profile të nivelit 50 dhe kishte qarkulluar mbi 5 milionë euro përmes TikTok-ut.
Në një LIVE në TikTok të Angelo Scognamiglios, i njohur si O' Messican, morën pjesë edhe personazhe të tjerë edhe mes tyre Samy Dubai dhe TonyAnonimus. Gjatë këtij LIVE-i, TonyAnonimus deklaroi: ‘Ne jemi mbi shtetin, jemi më të fuqishëm se shteti
Kjo deklaratë, e transmetuar nga Fanpage.it, ngre pikëpyetje mbi përmasat e ndikimit financiar dhe fuqinë që mund të kenë krijuar disa prej këtyre rrjeteve përmes aktivitetit në platformën sociale.
Shqipëria dhe 33 milionë eurot e të ardhurave të padeklaruara nga platformat digjitale
Fenomeni nuk është pa rëndësi as për Shqipërinë, ku të ardhurat e gjeneruara përmes platformave digjitale kanë qenë në vëmendjen e institucioneve tatimore.
Më 25 qershor 2025, Drejtoria e Hetimit Tatimor bëri të ditur nisjen e verifikimeve ndaj rreth 100 individëve dhe subjekteve që dyshohej se kishin përfituar të ardhura të padeklaruara përmes platformave online.
Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet shqiptare në atë kohë, shuma e dyshuar e të ardhurave të padeklaruara arrinte në rreth 33 milionë euro.
Verifikimet përfshinin të ardhura të realizuara përmes TikTok, Facebook, Instagram, YouTube, Google dhe PayPal.
Në këtë kontekst, investigimi italian rikthen në vëmendje nevojën për kontroll më të madh mbi flukset financiare që gjenerohen në platformat sociale, veçanërisht kur bëhet fjalë për donacione me vlera të larta, burime të paqarta financimi dhe transaksione që mund të përdoren për të maskuar origjinën e parave.
Pyetja që ngre “The Lion” është nëse TikTok LIVE është shndërruar në një terren të ri për aktivitetet financiare të rrjeteve kriminale dhe sa të përgatitura janë institucionet për të identifikuar dhe ndjekur këto mekanizma në një ekonomi gjithnjë e më shumë digjitale./Shekulli/


