Publikove një Story dhe ndryshove mendje? Instagram sjell mundësinë e re

Instagram ka prezantuar një funksion të ri që do t'u japë përdoruesve mundësinë të modifikojnë Story-t edhe pasi i kanë publikuar, pa pasur nevojë t'i fshijnë dhe t'i postojnë nga e para.
Lajmin e bëri të ditur drejtuesi i Instagramit, Adam Mosseri, përmes një postimi në llogarinë e tij të mërkurën. Sipas tij, përdoruesit do të mund të ndryshojnë tekstin, muzikën, sticker-at dhe vizatimet deri në 15 minuta pas publikimit, pa humbur shikimet, pëlqimet apo përgjigjet e marra.
Për ta përdorur këtë funksion, mjafton të klikoni ikonën me tri pika në pjesën e poshtme djathtas të Story-t dhe të zgjidhni opsionin e ri “Edit Story”. Kështu, mund të korrigjoni një gabim drejtshkrimor, të hiqni një sticker të vendosur gabimisht ose të shtoni muzikë në sfond, pa e fshirë postimin origjinal. Story-t e modifikuara do të shfaqin etiketën “Edited” në këndin e sipërm djathtas.
Deri më tani, çdo ndryshim kërkonte fshirjen dhe ripublikimin e Story-t, duke rrezikuar humbjen e ndërveprimeve të mbledhura deri në atë moment. Ky përditësim pritet të jetë veçanërisht i dobishëm për krijuesit e përmbajtjes dhe markat, për të cilat çdo shikim dhe reagim ka rëndësi.
Por ky nuk është ndryshimi i vetëm. Instagram po prezanton edhe tri funksione të tjera për Story-t:
Një mënyrë më të thjeshtë për të publikuar disa fotografi: Një opsion i ri Layout do t'i ndihmojë përdoruesit të përzgjedhin dhe organizojnë disa fotografi brenda të njëjtit Story.
Sfondet e përmirësuara: Fotografitë që nuk përputhen plotësisht me përmasat e Story-t do të mund të shfaqen me sfond të ri, duke e bërë paraqitjen më estetike.
Sticker-a me dizajne të reja: Instagram do të sjellë stile të reja me fonte, ngjyra dhe forma të ndryshme, si dhe një mënyrë më të lehtë për t'i shfletuar.
Sipas njoftimit zyrtar të Instagramit, funksionet e reja kanë nisur të publikohen gradualisht që prej së mërkurës, më 18 nëntor. Kompania e shoqëroi njoftimin me një mesazh të shkurtër: “Ju kërkuat, ne u përgjigjëm.”


