“Jam Edi Rama! Më jep 1 mln euro ose…”/ Si tentoi 25-vjeçari të mashtronte ndërtuesin, zbardhet skema (EMRI)

Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se tentoi t’i merrte 1 milion euro një biznesmeni, duke u prezantuar në aplikacionet e komunikimit online si kryeministri Edi Rama.
I arrestuari është identifikuar si Albi Muça. Sipas burimeve, ai i kishte shkruar një ndërtuesi në aplikacionin Signal, duke përdorur identitetin e kryeministrit dhe duke i kërkuar shumën prej 1 milion eurosh. Në komunikimet me biznesmenin, 25-vjeçari i kishte thënë se do të dërgonte një person tjetër për të marrë paratë.
Biznesmeni 54-vjeçar ka kuptuar se mund të ishte përballë një skeme mashtrimi dhe ka bërë denoncim në polici. Pas veprimeve hetimore dhe përdorimit të metodave speciale, policia ka organizuar operacionin e koduar “Request”, duke ndërhyrë në momentin kur 25-vjeçari po merrte paratë.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast apo në skema të tjera me të njëjtin mekanizëm kriminal.


