Italia drejt rikthimit të energjisë bërthamore, Senati jep dakordësinë

Bota

115213_ap22286490760211_utv.webp

Italia ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të energjisë bërthamore, pasi Senati miratoi përfundimisht ligjin për energjinë nukleare, të propozuar nga ministri i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike, Gilberto Pichetto Fratin.

Miratimi i ligjit nuk nënkupton rikthimin e menjëhershëm të centraleve bërthamore. Ai i jep qeverisë kompetencën për të hartuar, përmes dekreteve të posaçme, rregullat që do të përcaktojnë kushtet për ndërtimin dhe funksionimin e centraleve në të ardhmen.

Kuadri i ri do të përfshijë rregullat për ndërtimin e impianteve, prodhimin e hidrogjenit përmes energjisë bërthamore, menaxhimin e karburantit të përdorur dhe mbetjeve radioaktive, si dhe masat e sigurisë dhe strukturat që do të mbikëqyrin sektorin.

Kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi miratimin si një “zgjedhje të guximshme dhe me sens të përbashkët”, duke theksuar se Italia aktualisht importon energji elektrike nga vende fqinje që prodhojnë energji nga centralet bërthamore.

Sipas qeverisë italiane, rikthimi i energjisë nukleare synon të rrisë sigurinë dhe pavarësinë energjetike të vendit, krahas burimeve të rinovueshme.

Ministri Pichetto Fratin e cilësoi votimin si një “ditë historike” dhe tha se qeveria synon të miratojë dekretet zbatuese deri në fund të vitit.

Italia kishte hequr dorë nga energjia bërthamore pas referendumit të vitit 1987, ndërsa centrali i fundit u mbyll në vitet pasuese. Ligji i ri krijon tashmë bazën juridike për një rikthim të mundshëm të kësaj industrie, ndërsa vendimet konkrete për centralet, vendndodhjet dhe zbatimin e projekteve do të përcaktohen në fazat e ardhshme.

ME TE LEXUARAT