ILD kërkon uljen deri në 40% të pagës së prokurores në Dibër, çfarë ndodhi me magjistraten?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) i ka propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) caktimin e masës disiplinore ndaj prokurores S.Q, pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër. ILD kërkon uljen e përkohshme të pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit.
Sipas raportit hetimor, ILD ka nisur me iniciativë hetimin disiplinor ndaj magjistrates, pas konstatimit të mosrespektimit të rëndë ose të përsëritur të legjislacionit procedural dhe material, apo zbatimit të gabuar të tij, të evidentuar nga një gjykatë më e lartë.
Nga shqyrtimi i fakteve dhe provave të administruara gjatë hetimit, ILD ka konstatuar se prokurorja ka refuzuar t’i përcjellë Gjykatës së Apelit informacionin e kërkuar, duke u justifikuar me ruajtjen e sekretit hetimor.
Ky qëndrim është vlerësuar nga gjykata si zbatim i gabuar i legjislacionit procedural penal, me pasoja në vlerësimin e masës së sigurimit, cilësinë e hetimeve dhe shqyrtimin e kërkesës së paraqitur.
Sipas ILD-së, veprimet dhe mosveprimet e prokurores kanë kufizuar mundësinë e Gjykatës së Apelit për t’u shprehur mbi të gjitha pretendimet e ngritura në ankim, në një çështje që lidhej drejtpërdrejt me të drejtën themelore të individit për liri.
“Mosveprimi i magjistrates nuk lidhet me mungesën e aftësive profesionale, por përbën një sjellje të drejtpërdrejtë dhe të vullnetshme, pasi pavarësisht eksperiencës jo të gjatë si prokurore, eksperienca profesionale e mëparshme dëshmon njohuri mbi përgjegjësitë që burojnë nga ushtrimi i funksionit të magjistratit në raport me palët në proces. Sjellja e magjistrates ka cenuar imazhin e sistemit të drejtësisë dhe besimin e publikut në administrimin e tij, duke rrezikuar të krijojë precedent negativ edhe për magjistratë të tjerë, duke nxitur përsëritjen e praktikave të papërshtatshme në raste të ngjashme”, thuhet në reaportin e ILD-së.
Raporti hetimor i ILD nënvizon se respektimi i ligjit dhe i rregullave procedurale përbën një detyrim thelbësor për çdo prokuror. Ushtrimi i këtij funksioni duhet të karakterizohet nga paanshmëria, objektiviteti dhe drejtësia, duke garantuar të drejtat e palëve dhe zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve cenon sigurinë juridike, dëmton besimin e publikut te Prokuroria dhe mund të pengojë gjykatat në ushtrimin efektiv të kompetencave të tyre.
Për këtë arsye, ILD i ka propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë caktimin e masës disiplinore “Ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”.


