Paketa Fiskale/ Ibrahimaj zbulon çfarë ndryshon në 2027, ja sa synon të shkojë pensioni minimal

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka komentuar projektbuxhetin e vitit 2027 dhe Paketën Fiskale, duke vënë në fokus rritjen e pensioneve, uljen e kostos së shpenzimeve familjare dhe mbështetjen e qytetarëve.
E ftuar në një intervistë në “Klan News”, me gazetarin Besard Jacaj, ajo foli edhe për ndryshimet në taksa, transparencën e çmimeve dhe politikat për frenimin e emigracionit.
Një nga çështjet kryesore të intervistës ishte rritja e pensioneve. Ibrahimaj deklaroi se objektivi i qeverisë është që pensioni për personat me vite të plota pune të mos jetë më i ulët se 400 euro brenda këtij mandati. Për të arritur këtë nivel, sipas saj, ka nisur shpërndarja e bonuseve mujore për pensionistët, të cilat do të dyfishohen deri në momentin kur pensioni të arrijë vlerën 40 mijë lekë.
“E kemi deklaruar që në fushatën elektorale se brenda këtij mandati do të kemi një dysheme, që pensionet të mos jenë më të ulëta. Për pensionet me vite të plota nuk do të ketë më pak se 400 euro. Për të arritur këtë qëllim, ne kemi filluar të shpërndajmë bonuse mujore. Bonuset do të dyfishohen derisa pensioni të arrijë vlerën e 40 mijë lekëve”, u shpreh ministrja.
Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon dy masa konkrete për pensionistët, dyfishimin e bonusit mujor nga 1 janari 2027 dhe afrimin e indeksimit të pensioneve në muajin prill, nga korriku që zbatohet aktualisht. Për dyfishimin e bonusit dhe indeksimin e pensioneve janë parashikuar rreth 24 miliardë lekë.
Ministrja tha se vështirësitë me skemën e pensioneve lidhen kryesisht me zhvillimet demografike, plakjen e popullsisë dhe nivelin e ulët të pagave gjatë viteve të tranzicionit. Sipas Ibrahimajt, bonuset janë një nga mënyrat për të ndërhyrë në të ardhurat e pensionistëve, ndërsa qeveria po punon me Bankën e Shqipërisë për ndryshime në skemë, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së saj.
“Problematika nuk vjen nga politikat tona, por nga lëvizjet demografike, mosha dhe vitet e gjata të tranzicionit, që kanë pasur nivele të ulëta të pagave. E vetmja formë për të ndërhyrë në stokun e pensioneve është nëpërmjet bonuseve. Po punojmë me Bankën e Shqipërisë për të ndërhyrë në skemën e pensioneve, që të garantohet qëndrueshmëria e saj”, deklaroi ajo.
Ministrja u ndal edhe te paketa fiskale, për të cilën tha se synon të ulë kostot e jetesës dhe të lehtësojë shpenzimet e përditshme të familjeve. Sipas saj, masat e propozuara synojnë një rishpërndarje të barrës fiskale mes produkteve bazë dhe shpenzimeve të tjera, në mënyrë që qytetarët, veçanërisht ata me të ardhura më të ulëta, të përfitojnë më shumë.
“Kemi ndjekur një politikë shumë në mbështetje të biznesit të vogël. Tani, me paketën fiskale që kemi prezantuar, ne bëjmë një rishpërndarje të barrës fiskale ndërmjet shportës bazë të individëve dhe shpenzimeve të tjera. Të gjitha masat janë menduar për të pasur mundësinë që shpenzimet familjare të kenë kosto më të ulët”, tha Ibrahimaj.
Një nga ndryshimet kryesore të paketës është ulja e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës bazë, ndërsa norma standarde e TVSH-së parashikohet të rritet nga 20% në 21%. Paketa parashikon gjithashtu uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Sipas Ministrisë së Financave, këto ndryshime synojnë rishpërndarjen e barrës fiskale dhe kufizimin e hapësirave për shmangien e detyrimeve tatimore.
Ibrahimaj theksoi se ulja e TVSH-së dhe heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet do të kenë një ndikim në të ardhurat e buxhetit. Për taksën e qarkullimit, ndryshimi parashikon që ajo të mos paguhet më përmes karburantit, por të zhvendoset te taksa vjetore e automjeteve. Sipas shifrave të bëra publike nga Ministria e Financave, kjo zhvendosje shoqërohet me një mungesë të parashikuar të ardhurash prej rreth 5 miliardë lekësh.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte transparenca e çmimeve. Ibrahimaj u ndal te platforma “Pasqyra e Çmimeve”, e cila synon t’u japë qytetarëve mundësinë të krahasojnë çmimin e të njëjtit produkt në pika të ndryshme shitjeje. Sipas saj, përmes kësaj platforme dhe të dhënave të procesit të fiskalizimit, qeveria synon të analizojë edhe marzhet e fitimit të tregtarëve dhe të identifikojë rastet kur ato janë më të larta.
“Prej disa muajsh kemi lançuar një platformë që quhet ‘Pasqyra e Çmimeve’. Synonim të bënim transparencë për çmimet dhe t’u shfaqnim qytetarëve se sa ishte çmimi i të njëjtit produkt në disa pika shitjeje të ndryshme”, u shpreh ministrja.
Ajo argumentoi se zgjerimi i zinxhirit të TVSH-së dhe pakësimi i përjashtimeve krijojnë më pak hapësira për evazion fiskal. Ibrahimaj tha gjithashtu se bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë të reja vijojnë të përjashtohen nga tatimi mbi fitimin deri në vitin 2029.
Në fund, Ibrahimaj u ndal te punësimi dhe emigracioni, duke theksuar se mënyra më e mirë për të frenuar largimin e qytetarëve është krijimi i mundësive të reja ekonomike dhe vendeve të punës. Ajo tha se qeveria synon të vijojë nxitjen e investimeve edhe gjatë vitit 2027, ndërsa ndër politikat për mbështetjen e shtresës së mesme përmendi ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat nga pagat dhe politikat e strehimit.


