“Ky është hiri i njerëzve që do të vrisni me pesticide”/ Aktivistët i hedhin hi komisionerit të BE-së

Bota

“Ky është hiri i njerëzve që do të vrisni me

Një protestë e pazakontë ka ndërprerë një aktivitet në Bruksel, ku dy aktivistë kanë hedhur një pluhur gri, që ngjante me hirin, mbi komisionerin europian për Shëndetësinë, Olivér Várhelyi, në shenjë kundërshtimi ndaj politikave të reja për pesticidet.

Incidenti ndodhi në momentin kur zyrtari po bëhej gati të mbante fjalimin në një samit kushtuar luftës kundër kancerit. Dy protestuesit dolën në skenë dhe i hodhën substancën, duke shkaktuar ndërprerjen e aktivitetit.

Sipas mediave të huaja, ata janë pjesë e organizatës franceze “Cancer Colère”, e cila përfshin pacientë me kancer dhe persona që e kanë kaluar sëmundjen.

Njëra prej aktivisteve deklaroi se ishte vetë paciente me kancer dhe se protesta kishte në fokus kundërshtimin e ligjit Omnibus. Protestuesja tjetër e akuzoi komisionerin se ndryshimet e propozuara do të rrezikonin jetë njerëzish, duke e cilësuar pluhurin e hedhur si hirin e viktimave të ardhshme të pesticideve.

Nisma e Komisionit Europian për rishikimin e rregullave të autorizimit dhe përdorimit të pesticideve ka shkaktuar debate të forta. Brukseli argumenton se propozimet synojnë të thjeshtojnë procedurat për fermerët, ndërsa organizatat mjedisore dhe shëndetësore paralajmërojnë për rreziqet që mund të sjellin në shëndetin publik.

Pas protestës, Várhelyi pastroi rrobat dhe vijoi fjalimin, ndërsa reagoi i revoltuar ndaj aktivistëve. Në sallë, drejtuesja e Organizatës Europiane të Kancerit, Elisabetta Zanon, u distancua nga incidenti, duke kërkuar ndjesë për atë që ndodhi.

Ndërkohë, kundërshtimi ndaj propozimit po rritet. Mbi 2 mijë shkencëtarë kanë firmosur një letër ku kërkojnë që nisma të pezullohet deri në realizimin e një vlerësimi të pavarur, ndërsa më shumë se 300 organizata nga 25 vende europiane kanë paralajmëruar protesta më 24 nëntor, përpara Parlamentit Europian në Strasburg.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion