Gjobë 1 milion lekë në muaj çdo filiali poste në Durrës, ja si ngriti skemën Fetah Mataj (Dëshmitë në SPAK)

Në vendimin e shpalljes së moskopetencës për dosjen e vjedhjes të gati 3 miliard e 600 milion lekë nga posta e Durrësit, jepen detaje konkrete se si Fetah Mataj, burri i ish-drejtoreshës së Postës, Elisabeta Mataj ishte i përfshirë jo vetëm në vjedhjen e parave, por dhe gjobitjes në çdo muaj të punonjësve që shërbenin në filialet postare.
Përmes presionit se gruaja e tij, Drejtoreshë Poste, do i transferonte larg vendit të banimit por dhe mesazheve të vazhdueshme për shkarkim nga puna, Fetah Mataj, rezulton t’i kishte vendosur çdo pike postare në qarkun e Durrësit një gjobë mujore prej 1 milion lekë në muaj.
Siç del edhe në dosjen e siguruar nga gazetari Elton Qyno, këto para që varionin nga 1 deri në 1.5 milion lekë të vjetra, mblidheshin nga punonjëset e çdo filiali poste dhe i dorëzoheshin çdo datë 5 të çdo muaji, Fetah Mataj.
Për këtë veprimtari kriminale gjobitjeje ishte në dijeni dhe vetë Drejtoresha e Postës, Elisabeta Mataj, e cila në disa raste ka orientuar punonjëset që do dorëzonin çdo muaj sasinë e lekëve prej 1 milion te Fetahu ose në të kundërt do transferoheshin apo do shkarkoheshin.
Të ndodhur në këto kushte shumë filiale postare në Durrës, Krujë, Fushë-Krujë, Shijak dhe zonat rurale të këtij qarku, çdo muaj mblidhnin 1 milion lekë të vjetra dhe ja dorëzonin çdo datë 5 të muajit, Fetah Metaj.
Por një mesazh në aplikacionin “Whats App” i gjetur nga prokuroria e Durrësit në aparatin e sekuestruar punonjëses së postës Valbona Duni, solli zbulimin e kësaj skeme dhe paralelisht me akuzën e “Vjedhjes duke Shpërdoruar detyrën” u hap dhe një hetim tjetër penal kundër Fetah Mataj, ndaj të cilit u lëshua masa e “Arrestit në burg” për akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes për marjen e pasurisë”.
Mesazhi tashmë ndodhet në dosjen e SPAK e cila mbëriti në këtë prokurori nga prokuroria e Durrësit. Sipas asaj që relatohet në dosje, mesazhi është dërguar në 8 Korrik 2026 nga një punonjëse filiali poste me emrin Afërdita tek zyrtarja e postës qëndrore në Durrës, Valbona Duni, që mbante detyrën e shefes së Financës.
Afërdita i shkruan Valbona Dunit duke i thënë se: “…Erdhi ai, i mori ato…”. Ndërsa shefja e financës Valbona Duni ia kthen përgjigjen përmes një teksti: “…Mos i hëngërt, ishalla...!”.
Duke krijuar bindjen se rrjedha e mesazheve tregonte për një skemë gjobëvënie nga persona të jashtëm të administratës së postës, prokurori Gazmend Frëngu, ka ftuar në prokurori duke pyetur si deklaruese punonjësen e bankës, shtetasen Afërdita.
Gjatë deklarimit të saj në cilësinë e dëshmitares, Afërdita, i tregoi prokurorit Frëngu se në datë 7 korrik 2026 më ka ardhur një shtetase për të cilën më thanë që ishte postiere e Filialit qendër të Postës Durrës.
“…kjo shtetase ka ardhur dhe më ka kërkuar lekë, të cilat ishin të gjobës që na ka vendosur Fetah Mataj, bashkëshorti i Elisabeta Mataj. Ky shtetas, pasi i është emëruar bashkëshortja si Drejtoreshë ka kërkuar nga të gjitha zyrat e Postës Shqiptare një shumë monetare në formën e gjobës financiare…”-ka treguar Afërdita.
Më tej ajo ka treguar në dëshminë e saj, se kjo gjobëvënie është kryer me të gjitha arkëtaret që merren me shpërndarjen e pensioneve në qarkut e Durrësit.
“…që nga emërimi i shtetases Elisabeta Mataj kemi qenë në një presion të vazhdueshëm për dhënien e shumave monetare në formën e gjobës…këtë gjë e kemi bërë pasi jemi vënë të gjitha nën presion për transferim nga vendi i punës deri tek shkarkimi…”, ka treguar arkëtarja Afërdita.
Hetimi ka provuar se një pjesë të konsiderueshme të parave që vidhnin dhe mernin në formën e gjobës, çifti Elisabeta dhe Fetah Mataj, i kanë harxhuar në një nga kazinotë e njohura në qëndër të Tiranës, ku ishin rregjistruar si lojtarë.
Tashmë dosja kundër tyre është referuar në prokurorinë e Posaçme SPAK, ndërsa situata e këtij skandali duket se do rëndohet edhe për deputeten e Partisë Socialiste në Durrës, Etleva Budini.
Deputetja e PS, ka drejtuar postën e Durrësit, për një periudhë për më shumë se 4 vjet dhe sipas dyshimeve të prokurorisë, por edhe auditit financiar të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës në Tiranë, vjedhjet e parave janë kryer qysh nga periudha kur posta e Durrësit drejtohej nga Budini.
Rasti tashmë po hetohet në SPAK si “Vjedhje duke Shpërdoruar detyrën” e kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe për shkak të subjektit të posaçëm që në këtë rast është deputetjae PS në Durrës, Etleva Budini.
Ndërsa nën hetim janë vënë 4 emra nga Durrësi, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Fetah Mataj. Por pritet që lista e personave nën hetim të shtohet gjatë veprimeve hetimore që do kryejë SPAK në ditët në vijim.
Ndërkohë një raport financiar i kryer së fundi, ka treguar se tashmë nuk bëhet fjalë më për vjedhjen e 700 milion lekëve, por shuma e parave që ishte dedikuar për pensionistët e Qarkut të Durrësit, shkon në shifrën prej 3 miliard e 600 milionë lekë të vjedhura.
Përveç parave të pensioneve dhe të ndihmës sociale, punonjësit e kësaj poste dyshohen se kanë përvetësuar edhe detyrime të tjera, si tarifat që paguhen nga qytetarët për Kadastrën, tarifat arsimore, detyrimet doganore apo taksa të tjera.


