Humbi jetën në fushën e futbollit, tragjedia e të riut shqiptar sjell masa drastike në Greqi

Vdekja tragjike e Asllan Gjanës, 16-vjeçarit shqiptar që humbi jetën në një fushë futbolli në Thasos, ka sjellë masa të menjëhershme në Greqi. Bashkia e Kavalës ka vendosur të mbyllë pa afat të gjitha fushat e futbollit në zonën e saj, deri në përfundimin e kontrolleve për sigurinë e infrastrukturës sportive.
Vendimi vjen pak ditë pas ngjarjes së rëndë që i mori jetën të riut, i njohur nga të afërmit si “Ani”. Gjatë një ndeshjeje futbolli, 16-vjeçari doli jashtë vijave të fushës në përpjekje për të ndjekur topin dhe u përplas me pjesën e pasme të kokës në një mur pranë tribunave. Përplasja rezultoi fatale.
Pas kësaj tragjedie, autoritetet vendore kanë vendosur të pezullojnë lejet për zhvillimin e seancave stërvitore dhe kurseve të futbollit për fëmijët në fushat e administruara në zonën e Kavalës.
Urdhri mban firmën e nënkryetarit të Bashkisë për Kulturën, Sportin dhe Rininë, Christos Bosbotis. Përmes këtij vendimi, është kërkuar një kontroll i menjëhershëm i të gjitha ambienteve sportive, për të verifikuar nëse ato përmbushin standardet e sigurisë.
Në fokus të inspektimeve do të jenë përmasat e fushave dhe, veçanërisht, distancat ndërmjet vijave të lojës dhe mureve apo pengesave të tjera të palëvizshme që mund të përbëjnë rrezik për futbollistët.
Megjithëse lejet për përdorimin e këtyre fushave ishin dhënë gjatë gjysmës së dytë të shtatorit, ato janë pezulluar deri në përfundimin e verifikimeve dhe kryerjen e ndërhyrjeve të nevojshme.
Në rast se konstatohen shkelje të standardeve, zhvillimi i ndeshjeve dhe stërvitjeve do të kërkojë miratimin përkatës nga Federata Greke e Futbollit.
Vendimi u është përcjellë edhe autoriteteve policore dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Sportit.
Humbja e jetës së të riut shqiptar ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë në fushat sportive, veçanërisht në ambientet ku stërviten dhe luajnë fëmijët. Masat e marra nga Bashkia e Kavalës synojnë të verifikojnë nëse infrastruktura ekzistuese garanton mbrojtjen e sportistëve nga rreziqe të tilla.
Në foto fusha ku ndodhi tragjedia


