Hetimi i Reuters: Rrjeti i Jeffrey Epstein në Rusi, nga rekrutimi i vajzave të reja te përpjekjet për të takuar Vladimir Putin

Jeffrey Epstein nuk e kufizoi rrjetin e tij të abuzimit dhe trafikimit seksual vetëm në Shtetet e Bashkuara. Një hetim i agjencisë Reuters zbulon se financieri amerikan ndërtoi ndër vite lidhje të shumta me persona në Rusi, duke nisur nga agjencitë e modelimit dhe rekrutimi i vajzave të reja, deri te biznesmenë të pasur dhe zyrtarë të lartë rusë.
Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga Reuters, dëshmive të personave që e kanë njohur dhe intervistave me më shumë se 20 individë të lidhur me aktivitetin e tij në Rusi, Epstein synonte të depërtonte në rrethet e elitës ruse dhe të siguronte një takim me presidentin Vladimir Putin.
Megjithatë, agjencia thekson se nuk ka gjetur prova që Epstein të ketë punuar për shërbimet sekrete ruse, të ketë vepruar në emër të qeverisë së Moskës apo të ketë arritur të takohej me Putinin.
Një nga episodet që zbulon hetimi daton në nëntor të vitit 2002. Epstein udhëtoi drejt Rusisë me avionin e tij privat, i shoqëruar nga Ghislaine Maxwell dhe zbuluesi francez i talenteve në modë, Jean-Luc Brunel.
Sipas dy personave në dijeni të udhëtimit, dokumenteve të fluturimeve të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe një raporti të prokurorisë franceze, gjatë ndalesës në Moskë, grupi udhëtoi me makina të blinduara dhe truproja të armatosur drejt një restoranti, ku u takua me Umar Dzhabrailov, një biznesmen i pasur me origjinë çeçene.
Pas darkës, Epstein i kërkoi shoferit të kalonte në rrugën Tverskaya, për të parë prostitutat që qëndronin përgjatë saj gjatë natës.
Ky ishte udhëtimi i dytë i njohur i financierit në Rusi. I pari kishte ndodhur në vitin 1998, kur ai vizitoi qytetin e mbyllur të Sarovit, një qendër industriale-ushtarake ku Bashkimi Sovjetik kishte zhvilluar një pjesë të rëndësishme të programit të armëve bërthamore.
Interesi i Epstein për Rusinë fillimisht lidhej kryesisht me rekrutimin e vajzave dhe grave të reja përmes rrjeteve të modelimit dhe premtimeve për mundësi karriere në industrinë e modës.
Reuters identifikoi të paktën 17 gra nga ish-Bashkimi Sovjetik që përfunduan në rrjetin e trafikimit seksual të Epstein. Disa prej tyre u afruan përmes agjencive të modelimit dhe konkurseve të bukurisë, të cilat shërbenin si pikë kontakti me rrethe të pasura dhe me ndikim.
Në shtator të vitit 1991, Brunel organizoi një festë në apartamentin e tij në Paris, ku morën pjesë biznesmenë dhe modele nga Rusia, Çekosllovakia dhe Jugosllavia. Një ish-modele holandeze, Thysia Huisman, e cila ishte e pranishme, tregoi për Reuters se kishte parë një vajzë ruse që dukej se ishte në fillim të adoleshencës, e ulur për një pjesë të madhe të mbrëmjes në prehrin e Epstein.
Sipas Huisman, vajza i kishte thënë se Brunel i kishte paguar udhëtimin drejt Parisit dhe i kishte premtuar se do ta kthente në një supermodele. Reuters thekson se nuk arriti të konfirmonte në mënyrë të pavarur zhvillimin e kësaj feste apo identitetin dhe moshën e vajzës.
Nga rrjetet e modelimit te elita ruse
Pas dënimit në Florida në vitin 2008 për akuza që lidheshin me prostitucionin, përfshirë kërkimin e shërbimeve seksuale nga një e mitur, dhe qëndrimit 13 muaj në burg, Epstein nisi të intensifikonte përpjekjet për të rindërtuar reputacionin dhe marrëdhëniet me qarqet e pasura ndërkombëtare.
Në vitin 2003, Brunel hapi një agjenci modelimi në Miami, fillimisht me emrin Karin Models of America, të cilën dy vite më vonë e riemërtoi MC2 Models Management. Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit francezë, Brunel deklaroi se Epstein kishte garantuar një kredi prej 300 mijë dollarësh për agjencinë, e cila më pas ishte shlyer. Reuters nuk arriti të verifikonte në mënyrë të pavarur burimin apo shlyerjen e kësaj kredie.
MC2 rekrutonte modele kryesisht në Rusi dhe u siguronte dokumentacionin e nevojshëm për udhëtimin drejt SHBA-së. Sipas dy personave me njohuri të drejtpërdrejta për aktivitetin e agjencisë, Epstein siguronte gjithashtu apartamente për akomodimin e tyre.
Një prej grave të rekrutuara ishte Svetlana Pozhidaeva, e cila tregoi se e kishte takuar Epstein në Paris në vitin 2008, kur ishte rreth 23 vjeçe. Një vit më vonë, ajo u transferua në SHBA, pasi financieri i kishte premtuar se do ta ndihmonte të siguronte një kontratë modelingu me Victoria’s Secret.
Pozhidaeva u punësua më pas si asistente personale e Epstein. Ajo tha për Reuters se një pjesë e detyrave të saj lidheshin me Rusinë, përfshirë kërkimin e një apartamenti në Moskë për financierin. Megjithatë, sipas dëshmisë së saj, detyra kryesore ishte t’i bënte masazhe Epstein, i cili e abuzonte seksualisht në mënyrë të përsëritur.
Ajo pretendoi se ishte bërë gjithnjë e më e varur prej tij, pasi viza e saj sponsorizohej nga agjencia MC2, apartamenti sigurohej nga Epstein dhe shpenzimet e jetesës e të kujdesit shëndetësor regjistroheshin si borxhe ndaj tij.
Pozhidaeva tha gjithashtu se kishte frikë të largohej, pasi mendonte se Epstein mund të kishte lidhje politike në Rusi dhe mund të dëmtonte atë ose familjen e saj.
Përpjekjet për të takuar Putinin
Me kalimin e viteve, Epstein nisi të kërkonte gjithnjë e më shumë kontakte me biznesmenë dhe figura të rëndësishme ruse. Ai ndërtoi marrëdhënie me miliarderë dhe persona të afërt me qarqet politike e ekonomike të Moskës.
Mes tyre ishte biznesmeni rus i pasurive të paluajtshme Vladislav Doronin, i cili në atë periudhë ishte në një lidhje me supermodelen Naomi Campbell. Në vitin 2010, zyra e Doroninit e kishte ftuar Epstein në një aktivitet bamirësie në Moskë, por financieri nuk mori pjesë.
Më vonë, Doronin ishte i ftuar në një darkë në rezidencën e Epstein në Nju Jork.
Në komunikimet e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, biznesmeni e falënderonte për darkën, ndërsa Epstein i kishte dhënë këshilla për një projekt imobiliar shumë milionë dollarësh në Moskë.
Epstein tentoi gjithashtu të krijonte kontakte me miliarderin e metaleve Oleg Deripaska, por Reuters nuk arriti të përcaktonte nëse të dy ishin takuar ndonjëherë.
Përpjekja më konkrete për të arritur te Putini u zhvillua përmes ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak. Në vitin 2015, Epstein i kërkoi Barakut t’i përcillte një mesazh zyrtarit rus Sergey Belyakov, me të cilin kishte krijuar marrëdhënie gjatë një takimi në Paris një vit më parë.
Në një email, Epstein sugjeronte që Putini dhe këshilltarët e tij do të përfitonin nga një takim me të, për të diskutuar mbi tregjet, monedhat dhe sistemin financiar në kushtet e normave të ulëta të interesit. Sipas një personi në dijeni të çështjes, Baraku nuk e përcolli mesazhin.
Një tjetër përpjekje për të organizuar një takim me presidentin rus ishte bërë në vitin 2011, kur një email i një punonjësi të Epstein përmendte se truproja e tij rus kishte njoftuar për një takim të planifikuar me Putinin. Udhëtimi u anulua dhe tre persona që e njihnin financierin thanë se nuk besonin se një takim i tillë ishte planifikuar realisht.
Reuters thekson se nuk ka gjetur prova që Epstein dhe Putin të jenë takuar ndonjëherë.
Vdekjet dhe pikëpyetjet për lidhjet me Rusinë
Hetimi për marrëdhëniet e Epstein me Rusinë është vështirësuar edhe nga fakti se disa prej personazheve kryesore kanë ndërruar jetë.
Epstein vdiq në gusht të vitit 2019 në një qeli burgu në Manhatan, ndërsa vdekja e tij u cilësua si vetëvrasje. Brunel u gjet i vdekur në një qeli burgu në Paris në vitin 2022. Ndërsa Umar Dzhabrailov, emri i të cilit u shfaq në dokumentet e lidhura me Epstein, u gjet me një plagë fatale arme zjarri në apartamentin e tij luksoz në Moskë në mars të këtij viti. Mediat shtetërore ruse, duke cituar burime policore, raportuan se dyshohej për vetëvrasje.
Ghislaine Maxwell, e cila u dënua me 20 vite burg për ndihmën që i dha Epstein në abuzimin seksual të vajzave adoleshente, ndodhet në një burg federal në Teksas. Ajo ka mohuar akuzat, por është shpallur fajtore nga gjykata.
Në një intervistë me zyrtarë të Departamentit amerikan të Drejtësisë vitin e kaluar, Maxwell deklaroi se mund të pohonte kategorikisht se Epstein dhe babai i saj, Robert Maxwell, nuk ishin takuar kurrë. Edhe vëllai i saj, Ian Maxwell, i tha Reuters se, sipas dijenisë së tij, dy burrat nuk kishin pasur kontakte.
Mungesa e provave konkrete ka nxitur ndër vite spekulime për lidhje të mundshme të Epstein me shërbimet sekrete sovjetike apo ruse, përfshirë edhe përmes Robert Maxwell, i cili është përshkruar si një figurë me lidhje të dyshuara me shërbimet britanike, ruse dhe izraelite.
Megjithatë, hetimi i Reuters nuk gjeti prova që të vërtetonin se Epstein kishte punuar për inteligjencën ruse apo se kishte vepruar në emër të Kremlinit.
Pavarësisht përpjekjeve për të depërtuar në rrethet e pushtetit në Moskë, financieri nuk duket se arriti të siguronte marrëveshje të rëndësishme biznesi apo ndikim real në Rusi.
Një detaj i fundit që lidh historinë e tij me udhëtimin e vitit 2002 është rezidenca e Epstein në Manhatan. Fotografitë tregojnë se muret e shkallëve kryesore të ndërtesës ishin lyer me një ngjyrë të ngjashme me atë të dhomës së famshme “Mauve” në pallatin Aleksandër të Shën Petersburgut, të cilën ai kishte kërkuar ta shihte gjatë vizitës së tij në Rusi.


